Intervista
  Vepra     Botime tė reja     Nga shtypi     Kritikė     Ese     Debate     Franēais     Deutsch     English     Ekspozita e poezisė     Kontakti     Copyright     Biografia  
Ars
Zėri Ditor
Radio Kosova
Indeksi:
aktuale

Revista Haemus

Revista HAEMUS Nr. 23 (3) / 2004, Bukuresht


Rubrika DUO

Krijuesi kurrë nuk pajtohet me ato realitete shoqërore që vendosen në bazë të marrëdhënieve dhe qëndrimeve të egra (Me poetin, publicistin dhe intelektualin e shquar, Mustafë Xhemaili / Cu distinsul poet, publicist şi intelectual Mustafë Xhemail/
Intervista botohet me rastin e 50-Vjetorit të lindjes)


Mustafë XHEMAILI u lind më 19 shtator 1954 në Shkup, në kohën kur pindërit e tij, si shumë të tjerë, prisnin “visikat” për t’u shpërngulur në Turqi për shkak të sundimit dhe shtypjes që ushtronte pushteti serb mbi shqiptarët për t’i larguar nga Kosova. Mirëpo, pasi atyre u lindi djalë, pas gjashtë muajsh, prindërit bashkë me fëmijën e tyre, kthehen përgjithmonë në katundin Komogllavë.

Mustafë Xhemaili, shkollën fillore e kreu në Komogllavë, ndërsa gjimnazin në Ferizaj. Mbaroi Letërsinë dhe Gjuhën Shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Për shkak të veprimtarisë politike për çlirimin e Kosovës nga Serbia, i ndjekur nga policia, në fillim të vitit 1984, u detyrua ta lëshojë Kosovën dhe të strehohej në Zvicër, ku edhe sot jeton bashkë me gruan e tre fëmijët.

Nga viti 1976 e deri në fillim të vitit 1983 punoi gazetar në Televizionin e Prishtinës, ndërsa gjatë vitit 1983 gazetar në të përditshmen «Rilindja» të Prishtinës. Vazhdimisht është marrë me gazetari dhe publicistikë. Ka qënë publicist e kolumnist në shumë revista dhe gazeta që dilnin e dalin në Kosovë. Gjatë viteve 1984-1991,ka punuar si redaktor e kryeredaktor i revistës së mirënjohur „Zëri i Kosovës», në Zvicër, ndërsa gjatë viteve 2000-2001, kryeredaktor i revistës «Ekskluzive» në Cyrih-Prishtinë-Tiranë. Në vitin 1982 Shtëpia Botuese «Rilindja» në Prishtinë ia boton librin e parë me poezi «Netëve të verës». Në vitin 1993 Shtëpia Botuese «Naim Frashëri» në Tiranë - librin me poezi «Fusha e plagosur». Ndërsa në vitin 2001 Shtëpia Botuese “Dukagjini” e Pejës ia boton librin me poezi “Sëmundjet e botës”. Në vitin 2003, shtëpia botuese « Rozafa », në Prishtinë ia botoi librin poetik «Dorëshkrimi nga dheu». M. Xhemaili ka shkruar edhe poezi për fëmijë. Librin e tij “Banon ëndrra në syrin tim”, e botoi « Zgjimi » në Ferizaj, në vitin 2001. Në fillim të vitit 2004, iu botua libri poetik «Arkitektura e stinëve», në gjuhën gjermane, në bashkautorësi, brenda librit voluminoz «Kuarteti poetik», i përkthyer nga Ferdinand Laholli. Përveç në disa antologji në gjuhën shqipe, poezitë e M. Xhemailit janë të përkthyera dhe të përfaqësuara në disa antologji dhe revista në gjuhët gjermane, italiane, rumune etj.



HAEMUS: I dashur Mustafë Xhemaili së shpejti, mërgimi juaj do të jetë çerekshekullor. Cilat janë arsyet e një mërgimi kaq të gjatë për juve si krijues dhe ish-politikan i Lëvizjes Ilegale të Kosovës të viteve 80-ta të shekullit që kaloi?

Mustafë XHEMAILI
: Unë jam në mërgim thjeshtë për shkaqe politike. Kjo do të thotë se unë kam qenë i vetëdijshëm që, mos burgu, mos vrasja diku nëpër rrugët e Kosovës, do të më pret mërgimi politik. Atëherë intelektualët ishin të paktë që organizoheshin në Lëvizjen Ilegale të Kosovës. Kjo lëvizje, që përbëhej nga disa organizata të fshehta atdhetare politike, kishte strukturat e veta organizative. Unë militoja në një nga organizatat e tilla, dhe isha njëri ndër udhëheqësist e lartë të saj. Për mua vendimi për arratisje nga Kosova, u mor në strukturat organizative të Lëvizjes Ilegale të Kosovës të viteve 80-ta të shekullit që shkoi. Dhe pas një jete ilegale, të atij dimri të egër në Kosovë, dola nga ajo në pranverën e vitit 1984 dhe mora azilin politik në Zvicër.
Për mua nuk ishte, dhe nuk mund të ishte, mërgimi si një mallkim apo ndëshkim, sepse unë menjëherë jam kyçur (kooptuar, një shprehje e huaj politike e shpeshtë e kohës), në lëvizjen politike te mërgimtarët në Evropën Përëndimore. Kjo kyçje bëhej për kuadrot e ilegales politike që vinin nga Kosova dhe unë mora menjëherë vendin dhe rolin e rëndësishëm në atë lëvizje politike e cila ishte më përparimtarja, më e qarta në kërkesat e saj, më e vendosura dhe më luftarakja kundër pushtimit të Kosovës nga Serbia. Pra ajo organizatë ishte Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës-LPRK. Ajo ishte në luftë me Serbinë dhe ishte opozitë politike ndaj LKJ, LSPPJ, LRSJ, mekanizma politik dhe ekzekutiv në Kosovë. LPRK (sot LPK) ka mbijetuar, me vështirësi shumë të mëdha, dhe vepron në Kosovë si parti politike dhe me deputet në Parlament. Nga LPRK-ja, kanë dalë dhe janë formura Ushtria Çlirimtare e Kosovës – UÇK; Partia Demokratike e Kosovës-PDK; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës - AAK, ndër dy partitë e sotme më të mëdha politike në Kosovë. Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës -LDK, sot partia më e madhe në Kosovë është formuar nga ish-Lidhja Komuniste e Jugosllavisë (LKJ), nga ish-Lidhje Socialiste e Popullit Punues (LSPP); nga ish-Lidhje e Rinisë Socialiste (LRS). Herë-herë këto i kam shpjeguar më gjerë në intervistat e ndryshme nëpër mediat në Kosovë, dhe këtu, po i jap për sadopak njohje për lexuesit e Haemus-it.

HAEMUS: Pra, a ka qenë mërgimi për ju më fort një ndëshkim, apo, falë poezisë, helmi i tij ju është dukur më i përballueshëm?

Mustafë XHEMAILI
: Jo! Mërgimi për mua nuk ishte një ndëshkim! Ka qenë një rrugë, mënyrë lufte. Në mërgimin tim politik, në veprimtarit e ndryshme, veçanërisht në demonstrimet dhe propagandën që bënim për lirinë e Kosovës, nëpër Evropë e më gjerë, unë kisha aq shumë punë dhe angazhime dhe nuk kisha kohë të mendoj për mërgimin si fenomen, si fat, si rrugë, si mënyrë mbijetese. Për këtë shkak, për një periudhë dhjetëvjeçare 1982-1993, unë nuk kam botuar asnjë libër poetik. Unë kisha hyrë me vetëdije të plotë në politikë. Si një intelektual i ri i Kosovës, si një krijues që e kisha një emër, dhe natyrisht që kisha dalë me vetëdije të plotë në hapësirat e mërgimit politik, përpiqesha të bëjë diçka për të ndihmuar Kosovën. Me punën time në atë kohë, vitet 80-ta dhe fillimi i viteve 90-ta, unë jam i kënaqur. Ajo kohë ka ndihmuar thelbësisht që të vjen kjo e sotmja, ashtu siç erdhi – me luftë çlirimtare që e bëri UÇK-ja me aleatin e saj NATO-n. Ajo kohë dhe lufta çlirimtare e UÇK-së, herdokur, do të ndihmojnë, gjithashtu thelbësisht, që Kosova ta fitojë Pavarësinë.
Për këtë problem nuk besoj se duhet të zgjatem më shumë. Këmbëngulë edhe më tutje duke u shprehur vazhdimisht se Kosova nuk mund ta ketë LIRINË e vetë pa e pasur PAVARËSINË e vetë. Fatkeqësisht sot në Kosovë nuk po bëhen përpjekje organizative dhe politike, as në planin e brendshëm as të jashtëm, për të drejtën themelore - PAVARËSINË. Vetëm me kushtet që do të afronte Pavarësia, mund të ndërtohet mirë LIRIA, DEMOKRACIA DHE TOLERANCA.

HAEMUS: Pas aq peripetish, angazhimesh, punësh prej inteletuali militant në hapësirat e mërgimit dhe një heshtjeje të gjatë poetike para lexuesit, si ndodhi që ju e ruajtët vokacion tuaj të parë, krijimin e poezisë, ndërsa, si mund ta kishit përkufizuar mërgimin dhe vetmin e krijuesve brenda hapësirave mërgimtare?

Mustafë XHEMAILI:
Gjatë heshtjes sime poetike para lexuesve për një dhjetvjeçar, jam përpjekur të ruaj diçka që nuk e sheh askush, që nuk e ndien askush: një nerv poetik që e kisha kultivuar në Kosovë dhe që e kisha marrë me vete në Zvicër dhe hapësirat tjera Evropiane kah unë militoja, me pseudonime, me emër tjetër, pa emër. Periudha ishte e tillë që kishte shumë motiv dhe arsye të sakrifikohej diçka nga vetja. Madje edhe krejt vetveten! Për fat të mirë ai motiv, ato arsye te unë nuk e kanë shkatërruar atë nervin poetik që e kisha marrë nga vendlindja, nga Kosova, ku unë isha formuar. Marrja ime me politikë në kushtet e ilegalitetit dhe gjysmëilegalitetit, si dhe organizimeve të ndryshme, në thelb nuk më ka dëmtuar. Përkundrazi. Ajo periudhë më ka dhënë shumë në formimin tim më të plotë intelektual e krijues.
Mërgimi si fat, si mënyrë jetese, si rrugë që duhet ecur nëpër të, megjithatë nuk është i lehtë. Veçanërisht nuk është i lehtë për ata intelektualë, krijuesë, që janë të vetmuar, ose për ata që gjenden të hendikepuar nga virusi i vetmisë, i xhelozisë, i sëmirës. Thuhet se krijuesi duhet të jetë i vetmuar që të krijoj vepër të madhe. Kjo, tashmë është relative. Sepse, vetmia mund të jetë e madhe edhe në mesin e turmave të njerëzve, në mesin e një shoqërie të zhurmëshme.
Përkufizimi i mërgimit dhe analizat mbi vetminë, janë prej më të ndryshmëve. “Ai që ik është i detyruar të lindet për së dyti”, e ka thënë shumë bukur Ardian Kyçyku në esen e tij të shkelqyer, “Muret e dyfishtë”. E pranoj. Ai që ikë një herë, për të të parë dhe për të të ndjerë ata, nga të cilët ke ikur, duhet të rilindësh. Unë e kam provuar këtë, pas vitit 1992, kur intervistat e mia vërshuan në mbarë shtypin e Kosovës. Në fakt ishte periudhë e tillë (pas rënies së Murit të Berlinit dhe fundit të Luftës së Ftohtë), kur filluan “proceset demokratike” edhe në Kosovë dhe mund të flitej hapur, mund të bëje rinjohje publike. Unë në atë kohë përjetova një rilindje të bukur. Unë e dija se nuk më kishin harruar miqtë, shokët, krijuesit, kolegët, sepse pushteti okupues serboshqiptar pothuajse në çdo proces politik kundër shqiptarëve që zhvillohej në Kosovë, e përmendte edhe emrin tim si njëri “ndër nacionalistës dhe irredentistët e përbetuar në Perëndim”. Miqtë e ngushtë dhe një pjesë e anëtarëve të ilegales së Kosovës së këtyre viteve e dini se unë isha kryeredaktor i “Zërit të Kosovës”. Por përfolja e emrit tim nga shumë njerëz, dashamirë e dashakëqinj, nga shumë grupe interesi dhe nga shumë qarqe politike e jopolitike, qarqe letrare e joletrare, për “të bërat e të pabërat” e mia për Kosovën dhe lirinë e saj, më vinin herë si dallgë jugu e herësi dallgë veriu. Në fakt te unë edhe filloi të tëkurrej diçka. E ndieja një përhumbje. Atëherë fillova të mendoj më shumë për poezinë, për krijimin., letërsinë. Atëherë e vërejta se duhej patjetër që nervin poetik që ishte ruajtur ende brenda meje, duhej ta nxirrja në log. Përgjithësisht në krijimtari poetike punoj ngadalë dhe nuk kam dëshirë të paraqitem menjëherë dhe shpejt. Nuk kam dëshirën e botimit të menjëhershëm. Por, në atë kohë viti 1992, kisha dëshirë që të paraqitem para publikut me një vepër poetike, me vokacionin tim të parë, për të cilin më njihte lexuesi, publiku dhe kritika letrare Më 1993, botova librin “Fusha e plagosur”, në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” në Tiranë. Merrenie me mend, i dashur Haemus, unë, që kisha shkruar e botuar qindra artikuj, politikë, komente, analiza politike e publicistike, pothuajse dhjetë vjetë rresht, nuk kisha motiv dhe dëshirë t’i botoja në një libër publicistik, por kisha dëshirë të botoja një libër me poezi!

HAEMUS: U detyruat të largoheshit nga Kosova në kohëra mjaft të rënda, kur do të kishit dashur të ndodheshit sa më pranë miqve, përfshi ata të idealit, pranë të afërmve.

Mustafë XHEMAILI
: Po! U mbushën më shumë se 20 vjetë që nuk jam në Kosovë, që i mungoj asaj fizikisht. Pas daljes nga politika në vitin 1992 unë ende i mogoja fizikisht Kosovës, por jo më shpirtërisht. (Për mënyrat, format, arsyet dhe shkaqet e daljes sime nga politika i kam shpjeguar publikisht nëpër intervista të gjata në shtypin e kohës në Kosovë dhe nuk do të merrem këtu me ato shpjegime). Fillova të botoj librat e mi, artikuj, intervista, komente. Madje pas Luftës së Kosovës, arrita të nxjerrë edhe një revistë të madhe të ilustruar “Ekskluzive”, ku krijova tri redaksi për të: një në Cyrih, një në Prishtinë dhe një në Tiranë. Si duket gjërat kishin ndryshuar shumë. Disa kolegë dhe intelektualë i mendoja se nuk kanë lëvizur nga parimet dhe idealet e tyre të forta, nga qëndrimet që kishin dikur kundër Serbisë, veçanërisht nga qëndrimet morale të tyre. Isha gabuar! Shtypja e tmerrshme që ka bërë Serbia dhe politika e saj kundër shqiptarëve, e në veçanti kundër intelektualëve, si dhe traumat e luftës, një pjesë prej tyre, ua kishte ndëryshuar qëndrimin e mëparshëm, veçanarisht ua kishte ndryshuar qëndrimin moral të tyre! Kjo më habiti shumë, ani se mund ta merrja me mend një gjë të tillë. Intelektuali ose është intelektual ose nuk është. Në momentin kur ai tregon ndryshim negativ dhe ndryshim në qëndrimet themelore morale, ai degjeneroka! U bëka prostitutë politike! U bëka prostitutë kulturore! Disa ish-kolegë të mi, të dikurshëm ma “grabitën” revistën “Eksluzive” me qëllim përfitimi vetijak politik, moral dhe material! Por kjo i përket një teme tjetër. Megjithatë, unë kam shumë shokë të idealit brenda në Kosovë, kolegë, miq “që nuk vriten as për gjak”, siç thotë një shprehje e vjetër shqipe.
Do të kthehem në Kosovë, por jo ashtu siç dëshirova të kthehem e “të bëjë aq mirë” kur udhëhoqa “Ekskluzive”-n, duke ua krijuar mundësinë redaktorëve dhe gazetarëve në Prishtinë dhe Tiranë, me kontratë, t’i merrnin pagat më të larta se të gjithë kolegët e tjerë nëpër revista , gazeta dhe mediat elektronike!
Do të kthehem në Kosovën time fizike dhe shpirtërore, për ta ndier më afër pulsin e luftërave, përpjekjeve, gjakut të derdhur për liri, dëshirës dhe veprimit të pulsit të jetës së përditëshme, për të dalë nesër në anët sipërore të lirisë individuale dhe kolektive.
Në fund, unë do të kthehem te të afërmit e mi në Kosovë, në katundin tim. Atje jam rritur pranë përrockës të fëmijërisë sime, rrjedha ujore e së cilës më seliste dhe frymëzonte nervin tim poetik. Pikërisht, nga lagjia ime, rrjedha e ujit të asaj përrocke, niset dhe ndahet në dy krah për të shkuar në dy detra, në dy botë: njëri krah në Detin e Zi dhe tjetri në Detin Mesdhe! Qysh si fëmijë unë i dija emrat e këtyre detërave, sepse e dija se ku shkonte uji i përrockës sime. Ai është bifurkacioni i jetës sime. Ai është bifurkacioni i fëmijës sime, i rinisë sime, i pjekurisë sime, i cili tash më thërret, më tërheqë me të dy krahët drejt burimit të tij.

HAEMUS: Poezia juaj është mirëpritur dhe mirëpritet në të gjitha trojet ku lexohet shqip. Vlerat e kësaj poezie janë dëshmuar tashmë edhe në gjermanisht, italisht, rumanisht etj. Vërtetë në këto kohëra lexohet pak dhe shtëllunga e (vetë)mediatizimeve shpesh ia err sytë e estetikes lexuesit. Mënyra si shkruani përcjell bindjen se keni besim të patundur në përkushtimin ndaj poezisë pavarësisht nga natyra dhe doket e kohërave. Ç’vend zë malli për botën e përhershme shqiptare në meditimet tuaja? Si mendoni se mund t’i mbijetojë kjo botë acarit të globalizimit?

Mustafë XHEMAILI
: Malli në krijimtarinë poetike është një thelb poetik. Për mua malli në poezi është «mall poetik» që nuk duhet të shpjegohet. Në fakt nuk duhet sepse nuk mund të shpjegohet. Ose nëse dikush e shpjegon këtë thelb (kujto shpjegimi i esencave për shembull në biologji), nuk ka bërë asgjë. Unë e kam laboratorin tim krijues dhe aty hyj me dro, me kujdes të theksuar. Mirëpo kur të hyj aty, unë jam mbreti vet. Sepse aty i kam veglat e mia, hapësirën time, ajrin tim që vetëm unë e ndiej që vetëm unë e shijoj. Sepse vetëm aty dhe atëherë mund të krijohet poezia. Një laborator i tillë është si një qiler i mbushur me ar. Aty, veç veglave të krijimit, mendimet e ndryshme, më i rralli gjendet malli. Sepse ai është xhevahir dhe si i tillë shumë i «rrezikshme» dhe delikat për të punuar me të. Malli mund të bëhet vërtetë “mall tregu”, nëse nuk përdoret me mjeshtri, nëse nuk je hulumtues i zoti i fjalës, i ndjenjës që me mallin t’i prekësh kulmet e ndjenjave të tjerëve, kur ata e lexojnë poezinë me atë xhevahir që ke futur brenda. Por në radhë të parë duhet ta përjetosh realisht (kurrë rrejshëm) vet atë ndjenjë. Sepse nëse ty nuk të shpërthen brenda teje dhe nuk të dhemb, atëherë është e kotë. Askush nuk do të preket. Askujt nuk do t’i dhemb. Askush nuk do të pësojë një zbrazje shpirtërore, një pastrim shpirti (një katarthis), të cilin efekt e synon arti.
Bëhen shpejgime të ndryshme mbi poezinë dhe mallin brenda saj, si lind poezia, si shkruhet, si jeton, si përjetohet dhe mbi të gjitha si të përkufizohet, kur bëhet pyetja çështë poezia. Madje as fjalorët e kritikës moderne nuk e kanë definicionin e saktë të poezisë! Vetë marrja edhe e krijuesve dhe e kritikëve shqiptarë me preokupimet se çështë poezia dhe se ajo a duhet të jetë kështu apo ndryshe, tregon se poetët dhe kritikët shqiptarë kërkojnë diçka tjetër, më ndryshe në jetën e poezisë, në brendinë e saj, në teknologjinë dhe në aftësinë e saj për përcjelljen e ndjejnës, mallit. Poezia është e vjetër sa njeriu, pra sa kjo botë. Poezia ishte fjala e parë dhe do të mbetet fjala e mbramë e njerëzimit. Globalizime ka pasur edhe përpara, në kohëra të kaluara, të vjetra dhe ato të mesme. Superfuqitë ushtarake dhe ekonomike nëpër kohë që kanë sunduar popujt dhe gjithë botën, dikur kanë bërë gjithashtu globalizime, ashtu siç po bëhen përpjekje të bëhen edhe sot në rrethana të reja. Edhe globalizimet e dikurdhme bëheshin në rrethana të reja. Poezi kishte edhe atëherë, ku më shumë e ku më pak. Me ndonjë përjashtim gjatë gjithë historisë së saj, poezia ka qenë elitare dhe nuk ka lindur baltrave por ka lindur pallateve.

HAEMUS Fusha të plagosura, endje nëpër botë, klithma burrërore të kaluara hijshëm mes tirës së krijimit, përfshirë dhembshurisht në një gjeografi të sëmurë, në një histori që vetëm nga vetvetja nuk nxjerr mësime... Sikur kjo gjeografi të kish qenë e shëruar, apo sikur të shërohej ndërkohë, a do ta kishte poezia jonë këtë frymëzim drithërues që del nga kaq halle e dhimbje?

Mustafë XHEMAILI
: Jo vetëm poezi shqipe ka pasur dhe ka ende një dhembshuri për gjeografitë e sëmura, për fushat e plagosura, endje dhe trandje tragjike nëpër botë. Kujtoni, për shembull, poezinë spanjollje gjatë dhe pas luftës civile në Spanjë, kur dhjetra e dhjetra poetë ikën nga vendi, jetuan në ekzile, madje edhe vdiçën atje, krijuan vepra të mrekullueshme poetike dhe hynë në fondet e arta të letërsisë botërore siç ishin krijuesit Antonio Maçado, Huan Himenes, Pedro Salinas, Rafael Alberti etj.
Krijuesit shqiptarë e kanë edhe më ngushtë, edhe më keq në këtë plan, veçanërisht ata që vijnë nga Kosova në botën e madhe. Në fakt të gjithë krijuesit shqiptarë e kanë brenda tyre tragjikën e ndarjes, copëtimit, dhembjen e fushave dhe maleve të plagosura e të gjakosura. Madje ata i kanë edhe lumenjtë e ndarë me kufij brenda tokave të tyre, brenda etnisë së tyre. Tragjika bëhet edhe më e kapshme kur idea e bashkimit, dalngadalë edhe në librat e tyre po zvenitet! Veçanërisht në librat shkencorë dhe në librat shkollorë. Dikur Rilindasit, me penë dhe me pushkë, bënë aq shumë punë në këtë dejtim sa e bënë një Lidhje të Prizerendit, e bënë një Shqipëri. Tash në kohërat moderne (ah, gjithmonë për kohën dhe njerëzit e asaj kohe, ka kohëra moderne), krijuesit shqiptarë ende, megjithatë detyrohen t’u këndojnë fushava të plagosura dhe të “luftojnë” për ta shëruara gjeografinë e sëmurë të Atdheut të tyre, apo të “atdheve të tyre”! Sa keq!
Poezia spanjolle sot nuk e ka më dhembjen, tragjikën, heroikën dhe lartësinë e poezisë së Maçados, Heminesit, Salamisit, Albertit. Në kohërat e sotme, ajo ka maja të tjera. Letërsia shqipe ende do të detyrohet të ketë frymëzime drithëruese, tragjike, heroike që dalin nga dhembjet shekullore, që dalin nga tragjeditë e njëpasnjëshme e të derisotme.
Mirëpo, puna qëndron tjetërkund. Poetët spanjollë, pra, këta që i përmenda, menduan thellësisht, se si të renovohet poezia, si të “ikin” nga tradita dhe të krijojnë ndryshe, aq ndryshe sa me krijimet e veta të jenë me kohën, të jenë me lexuesin dhe me kërkeat e kritikës. Ata krijuan“Brezin e 27-tës“, etj., apo siç ka bërë Lorka në dramaturgji duke e krijuar trupën universitare “Barrakada”. Po shkrimtrarët, poetët, pikëtorët, dramaturgët, regjisorët shqiptarë, çfarë dhe sa kanë bërë, për lirinë e Kosovës, ose çfarë po bëjnë sot?!
Unë jam përpjekur të themë diçka më shumë në esenë “Mbi zhvillimet e poezisë shqipe në ditët e sotme”, që e botoi HAEMUS në numrin 21/2004.



HAEMUS: Thuhet me të drejtë se s’ka vend në këtë glob ku të mos gjesh të paktën një varr shqiptari. Jemi një popull jo vetëm mërgimtar dhe i dashuruar tragjikisht me trojet e veta, por edhe një popull i joshur nga liria e epërme... Cila mund të ishte një histori e shkurtër e mërgatës shqiptare në Zvicër?

Mustafë XHEMAILI
: Mërgata e sotme shqiptare në Zvicër është e re. Ndoshta më e reja nga të gjitha mërgatat në Evropë. Ajo filloi të vendoset në fillim të viteve shtatëdhjeta, si një emigracion i organizuar ekonomik nga ish-Jugosllavia. Shqiptarët shiteshin nga mekanizmat e punësimit në Zvicër, me çmime të larta si një mall tregu shumë i çmuar. Ky emigracion ishte një bazë e mirë, e jashtëzakonshme, që pak më vonë do të shumëzohet dhe do të luaj një rol të rëndësishëm historik në jetën politike të Kosovës. Gjatë viteve 80-ta, kur u zhvilluan demonstratat e Kosovës në vitin 1981, ky emigracion thellësisht patriotik, i udhëhequr nga Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka e Ibrahim Kelmendi, u bë zëri kryesor i popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Pak më vonë, me përfshirjen dhe organizimin e mirëfilltë në organizatën politiko-patriotike LRSSHJ-LPRK, me formimin e UÇK-së dhe fillimin e luftës së saj të armatosur për çlirimin e Kosovës, mërgata politike dhe ekonomike shqiptare e Zvicrës luajti rolin kryesor në mbledhjen e fondeve, në organizimin dhe rekrutimin e ushtarëve për UÇK-në dhe drejtimet politike të saj. Në këtë kohë në Zvicër kishte 250 mijë shqiptarë, kryesisht nga Kosova. Një forcë kaq e madhe, domosdo ndikoi edhe në rrrjedhat e luftës në Kosovë. Përveç faktit që shumë të rinjë, të aftë për luftë, lëshonin vendet e tyre të punës, lenin familjet, strehimoret e azilit, kushtet e mira të jetesës në bollëkun zviceran dhe shkonin në frontin e luftës në Kosovë, shtetin helvetik, e habiti edhe një fakt tjetër, i cili e përmirësoi thellësisht imazhin e shqiptarëve të Kosovës para popullit të këtij shteti. Menjëherë pas përfundimit të luftës, me mijëra shqiptarë kërkuan, vullnetarisht, që ta lëshojnë Zvicrën dhe të kthehen në Kosovë. Kjo gjë ishte e paparë dhe e papërjetuar për administratën dhe popullin zviceran. Administrata e saj gjatë vjeshtës dhe dimrit të vitit 1999 ka punuar vetëm me dosjet e shqiptarëve, të cilët kërkoni menjëherë, vullnetarisht, të kthehen në tokat e tyre në Kosovë. Ky ishte një shembull i jashtëzakonshëm atdhedashurie dhe sakrifice. Ata linin Zvicrën, linin edhe punët dhe banesat e tyre komfore, dhe shkonin në Kosovë në shtëpitë e tyre të djegura e të rrënuara nga ushtria dhe policia serbe, shkonin në tokën e tyre, në Atdheun e tyre. Jo zyrtarisht llogaritet që gjatë periudhës qershor 1999 -mars 2000, nga Zvicra janë kthyer vullnetarisht në Kosovë, reth 30’000 shqiptarë.
Krijuesit shqiptarë në Zvicër, kryesisht janë të ardhur nga Kosova. Para Luftës së Kosovës kishte ndonjë veprimtari kulturore dhe mbaheshin manifestime letrare, në kuadrin e shoqatave dhe klubeve letrare. Pas luftës manifestimet e tilla ishin spontane, vetanake, shpeshherë edhe tekanjoze. Më duhet të theksoj se pas Luftës së Dytë Botërore, e deri me ardhjen time në vitin 1984, në Zvicër nuk ka pasur ndonjë emër krijuesi shqiptar i vendosur në këtë shtet. Me sa di unë, ky vit shënon fillimin e ardhjes së tyre në shtetin helvetik
Emigracioni nga Shqipëria në Zvicër është i paktë dhe i papërfillshëm. Ai u hetua paksa vetëm pas vitit 1990. Zvicra për këtë emigracion të hollë u bë e pamundur. Motivet politike, për kërkesë të strehimit politik pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri, këtu, ishin të pavlershme. Ndërsa një emigracion ekonomik nuk u formua as me ikanakët e vitit 1990 e as pas këtij viti. Kryesisht ata qëndronin në Itali, për shkak të lehtësimeve nga shteti dhe tregut më të madh të punës. Ndërsa atje krijonin kushte dhe shkonin në Gjermani, Angli apo SHBA, e më pak në vendet e ish-Evropës Lindore, si në Hungari, Çeki, Sllovaki, Rumuni etj.
Nga emrat që janë bërë më të njohur publikisht, e të cilët vijnë nga Shqipëria, është shkrimtarja Elvira Dones dhe Astrit Leka, i cili ka bërë që me shoqatën e tij «Solidest», në një park të njohur të qytetit të Gjenevës, ta vendos, përgjithmonë, bustin e Skenderbeut.

HAEMUS: Për fat të keq, shqiptarinë e mërgimit e shquan edhe njëfarë kulti ndaj vetmimit, ndaj dasive të shumëllojshme. Disa prej nesh, mbase pa mundur të dëshmojnë vërtetësinë dhe jetëgjatësinë e bindjeve të tyre politike, fetare, intelektuale dhe artistike në vendlindje, i teprojnë këto të fundit në kushte shumë më ‘zemërgjera’, në tokë të huaj, dhe i përdorin, - shpesh pavullnetshëm, - jo në të mirë të bashkëkombasve. Nga mendoni se vjen kaq politizim dhe përçmim i ndërsjellë në disaporë? Për më tepër që lloji dhe sasia e vuajtjeve tona janë pothuajse të njëjta? Jo rrallë i kemi treguar botës se mund të jemi të bashkuar dhe të mos lypim vetëm shembuj nga historia e popujve të tjerë...

Mustafë XHEMAILI
: Unë e shikoj kështu këtë problem që është mjaft shqetësues. Pas rënies së komunizmit, rënies së Murit të Berlinit dhe përfundimit të Luftës së Ftohtë, mes dy superfuqive të kohës SHBA-së dhe ish-BRSS-së dhe aleatëve të tyre, në një anë, dhe në anën tjetër pas përfundimit të Luftës së Kosovës në qershorin e vitit 1999, me interveninimin e NATO-s dhe SHBA-ve kundër fashizmit serb, për shqiptarët e Gadishullit Ilirik, kanë përfundur faza të rëndësishme të luftës dhe përpjekjes së tyre për liri dhe demokraci.
Pvarësisht që diaspora dha shumë, pas këtyre procese, ajo është harruar. Madje është harruar shumë shpejt! Kjo harresë është e kushtueshme. Do t’i kthet për të keq Kosovës dhe Shqipërisë. Ikanakët e vitit 1990 nga portet e Shqipërisë, sot gjenden gjithkund në diaspora. Kanë rol të rëndësishëm në jetën ekonomike të vendit. Madje, ata, janë bërë me ndikim e të fuqishëm edhe në rrjetët e ndryshme tregtare, kriminalitet të organizuar dhe ordiner, trafiqe drogash, prostitucion. Poashtu, injorimi i diasporës shqiptare nga Kosova, nga ana e pushtetarëve të sotëm të saj, veç ka fillluar të hakmerret: investimet e pakta në vend nga ata që kanë, mosdëshira për kthim në Kosovë, zvogëlimi i ndihmave dhe donatorëve, rënie e imazhit të mirë të tyre në sytë e popullsisë dhe organeve të shteteve ku jetojnë.
Këto të gjitha nga ana praktike dhe vepruese në përditshmërinë e jetës.
Ndërsa nga ana shpirtërore punët qëndrojnë edhe më keq.
Shkapërderdhja dhe përçarja e diasporës shqiptare ta zëmë në Gjermani, Zvicër, Itali, Austri, Belgjikë, Francë, Angli, Hungari, Rumuni e Çeki, është katastrofale. Po ndodhë një tragjedi e vërtetë që poashtu do t’i hakmerret në radhë të parë Kosovës në gjendjen e brisht në të cilën është dhe njëkohësisht edhe Shqipërisë. Është krijuar një truall i përshtatshëm i keqkuptimeve, thashethemeve, mosdurimeve, nebuloziteteve, urrejtjeve, shpifjeve, intrigave, smirave dhe inateve që janë pasojë e gjendjeve të mjera shpirtërore të individve, grupeve, klaneve. Pasojë e mendjeve të vockla, të atyre njerëzve që nuk e kanë unin dhe karakterin e vet; të atyre njerëzve me ambicje të sëmura, me gjelozi të sëmurë për rezultatin e tjetrit, për krijimet e tjetrit, për veprimtarinë e tjetrit, si në të kaluarën ashtu edhe sot. Një pjesë e krijuesve, ta zëmë, janë mbyllur në vetvete dhe një pjesë tjetër janë tëhujsuar. Në vetmin e tyre, vetmi që s’e kanë krijuese, ata ndjellin vetëm zi, për vete dhe pë të tjerët.
Tash, si krijues, të gjitha këto, i përejtoj rëndë. Më dhemb dhe brengosem shumë, sepse pa një unitet shiprtëror në anët e themelore të problemeve, nuk mund të bëhet asnjë hap përpara në asnjë lëmi të jetës, përparimit dhe kamjes.

HAEMUS: Tirana, Prishtina, pjesa tjetër e qendrave më pak zyrtare, po duket se kanë ende vështirësi për t’u marrë vesh vllazërisht, madje edhe në lëmin e kulturës, ku gjërat duhet të ishin më të kthjellta. Nganjëherë ke përshtypjen se numuri i kufijve është dhjetëfishuar. Vallë t’ia ketë dalë mbanë ndarja e stërgjatë dhe e sforcuar që të mos e pranojmë sot njëri-tjetrin me shpirt të hapur dhe të yshtemi prore nga divide et impera?

Mustafë XHEMAILI
: Po! Kufijtë për kulturën mes shqiptarëve, janë shumëfishuar. Kjo shihet qart. Por në radhë të parë te shqiptarët ende janë kufijtë, muret, në kokat e tyre! Kjo është më e rënda e cila po ndreqet me një ngadalësi. A po ndreqet se?! Në Prishtinë, Shkup, Tetovë e Ulqin, bëhen botime dhe shiten nga shumë shtëpi botuese, të autorëve të ndryshëm që krijojnë në Shqipërinë e sotme londineze, në Tiranë ende shiten pak librat që krijohen e botohen në Kosovë, Maqedoni, në Mal të Zi si dhe në mërgatën tonë letrare. Tirana, është barrikaduar me kufij para mureve të fortë në mendje dhe nuk e ka ndërmend ti rrënojë ato. Në kryeqytetin e Shqipërisë, shumë më pak flitet e shkruhet për letërsinë që krijohet jashtë Tiranës. Kjo gjë vazhdon në kohën kur atje komunizmi ka rënë qe 14 vjetë!
Është një arsye e fortë edhe ajo që thua ti, i dashur Ardian. Ndarja e gjatë mes nesh. Ajo na ka bërë “si të huaj”. Dikur e kisha një mendim që e thoja gjithkund. Të bëhen sa më shumë martesa mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë, se vetëm krushqitë na bashkojnë më shumë shpirtërisht, e na afrojnë më shumë me njëri-tjetrin. Në fakt në planin që po bisedojmë letësia shqipe e ka tash një “detyrë që të luftojë e militojë” për ta bashkuar sa më shumë shpirtin shqiptar: për t’i hequr muret dhe kufijtë në kokat dhe mendjet e shqiptarëve. Pa heqjen e këtyre mureve dhe kufijve në kokat tona nuk ka mundësi, asnjë mundësi, të bashkohemi dhe ta heqin epitetin që jo rallë po na e lëshojnë mbi kurriz: “ata janë të huaj me njëri-tjetrin”!
Botimin e antologjive në nivele gjithkombëtare unë e shoh shumë të rëndësishme. Antologjitë mund të botohen me poezi, tregime, kritikë dhe eseistikë. Kjo mund të bëhet në mënyrë të organizuar, qoftë nga Akademitë e shkencave dhe arteve, qoftë nga grupe profesionale të letrave shqipe në katedrat e letërsive dhe shoqatat e shkrimtarëve, apo shtëpive botuese me përpiluesë të merituar. Disa antologji të poezisë shqipe që u bënë në tri vjetët e shkuara, prej disa përpiluesve nga Prishtina, më shumë mbollën huti e mosdurim. Prandaj kishte ndaj tyre kritika të arsyeshme, për shkak se kishin mbetur në nivelin e provës! Sepse ato nuk ishin në nivelin gjithpërfshirës të vlerave të letrave shqipe në ditët e sotme, por as antologjitë e periudha të caktuara të letërsisë. Dhe, si të tilla, mbetën gjysmake, por edhe të dyshimta. Do të ishte shumë e pëlqyeshme që nga një shtëpi botuese për çdo vjet, të botohej nga një Antologji vjetore me poezi. Kjo mënyrë përfaqësimi e letërsisë praktikohet në shumë letërsi të tjera nëpër Evropë. Dhe ka suksese dhe ndikime të shumëfishta.

HAEMUS: Cilët janë krijuesit shqiptarë që janë vendosur, qoftë edhe përkohësisht, në Zvicër?

Mustafë XHEMAILI
: Në Zvicër janë vendosur më së shumti krijuesë nga Kosova dhe shumë pak nga Shqipëria. Llogaritet që në këtë shtet janë mbi 50 prozatorë, poetë dhe shkruesë të ndryshëm. Këtu po i përmendi vetëm disa: Isuf Sherifi, Shaip Beqiri, Xhemal Ahmeti, Elvira Dones, Ndue Sinishtaj, Ymer Shkreli, Shehrezade Shkreli, Vaxhid Xhelili, Brahim Abdyli, Bujar Salihu, Muharrem Blakaj, Gëzim Ajgeraj, Shefqet Dibrani, Diamant Abrashi, Xhemail Sadriu, Kadri Rexha, Fatmir Brajshori, Xhemal Rudi, Arbër Ahmetaj, Miradije Maliqi, Raze Ismaili, Sabit Geci, Shaqir Ahmeti. Valdet N. Berisha, Fatmir Salihu, Isa Dermaku, Shemsedin Dielli, Mehmet Bislimi, Beqir Beqa, Ibish Neziri, Shemsi Makolli, Kadri Osmani, Sylë Mujaj, Ganimete Leka, Remzi Salihu, Januz Krasniqi, e të tjerë. Natyrisht të gjithë këta kanë një e më shumë libra të botuar. Fatkeqësisht vetëm për një pjesë shumë të vogël prej tyre, mund të thuhet se shkëlqejnë. Madje, disa prej këtyre krijuesve (?!) botojnë vetëm sa për të botuar, pa u kujdesur asnjëherë për vlerat e tyre letrare. Ndërsa disa prej tyre heshtin dhe nuk botojnë, edhe pse nga Kosova kanë ardhur me emër që e kanë krijuar me letërsinë e tyre. Natyrisht se krijimi, arti, është punë individuale dhe krejtësisht çështje e krijuesit. Dhe fal Zotit që është i tillë.

HAEMUS: Si e sheh të ardhmen e letërsisë shqiptare që shkruhet në diasporë dhe të cilën e ashtuquajtura kritikë zyrtare e trajton me të njëjtin kujdes angushtues, me të cilën e trajtonin korifejtë e realizmit socialist?

Mustafë XHEMAILI
: Në mërgatë, historikisht, është krijuar letërsi shqipe me vlerat të larta artistike, që sot janë në fondin e artë të saj. Krijuesit e ardhur në mërgatë e kanë pësuar për shkak të ndjekjeve obskurantiste, mbretërore, diktatoriale e ideologjike që janë bërë nga Shqipëria, dhe pushtuese, politike e ideologjike nga ish-Jugosllavia. Kujtonie vetëm Nolin, Konicën, Koliqin, Camën, Kadarenë, Balën, Gërvallën... veprat e të cilëve, tashmë, janë bërë fond i letësisë shqipe.
Por, një shtresë tjetër e krijuesve, më e re, e freskët dhe vepruese në krijimtari, sot është në sipërfaqe. Ajo, ka filluar të vendoset në mërgatë në gjysmën e viteve 80-ta dhe është stabilizuar me mbarimin e luftës në Kosovë në fund të shekullit që shkoi. Një pjesë prej tyre me vepra kanë dhënë vlera të larta artistike, madje disa të shkruara drejtpërdrejt në gjuhën e vendit ku jetojnë. Proza e Ardian-Christian Kyçykut, Riat Ajazajt, Elvira Donesit, Xhemal Ahmetit, Gëzim Alpionit dhe e Beqë Cufajt, poezia e Shaip Beqirit, Isuf Sherifit, Vaxhid Xhelilit, Bujar Salihut, Ferdinand Lahollit, Gëzim Hajdarit, Faruk Tashollit, Riza Sheqirit, Jozef Radit, Hajdin Abazit etj., kritika e specializuar e Xhemal Ahmetit, është koha që t’i “kthehen” letërsisë shqipe.
Një dimension tjetër e kanë “kapur” këta autorë dhe e kanë futur në krijimet e tyre. Atë të dhembjes së shpirtit, duke mos e fryrë dhe sforcuar në poezi apo prozë, si dhe të lidhjes reale mes ndjenjës dhe gjuhës shprehëse. Dhembja është e gërshetuar me elemente të reja. Nxirren këto nga të meditimet më të thellë për pozicionin e tyre real e letraro-poetiko-fantastik. Për shtresimet e tramakosura në ambiente të reja, në hapësira të shtrira e të pafundme që ka krijuar njeriu modern, njeriu i shekullit të kompjutrit dhe internetit. Por me plagë të rënda. Ai shpirt i shqetësuar e i plagosur i poetit, i prozatorit, nuk bënë kompromis me realitet e egra që shpeshherë demonstron njeriu i këtij shekulli në raporte dhe marrëdhënie të ndryshme. Sa modern në vargëzim, aq përkushtues e të kujdeshëm për latimin me mjeshtri të fjalës shqipe dhe të shtresimeve të saj kuptimore.
Këta emra shqiptarë tash kërkohen nga botues të huaj gjermanë, frengë, italianë, rumunë, suedezë. Përkthehen me kujdes dhe respekt nga shtëpi botuese dhe bëhen përpjekje të paraqiten sa më mirë para lexuesve të tyre. Madje, shkrimtari i ri nga Pogradeci, Ardian-Christian Kyçyku, i cili krijon shqip dhe rumunisht në Bukuresht, nga kritika e vendit vlerësohet që është njëri ndër shkrimtarët më të shquar të letërsisë së sotme rumune.
Kritika e imagjinuar zyrtare që po përpiqet të rivendoset sot në letërsinë shqipe, është me komplekse të së kaluarës nën (dhe për) regjimet që ishin në pushtet. Një specie kritikësh pa kuriz dhe formim letrar e shkencor, të cilët dikur ishin dhe të tjerë që sot po quhen vetkritikë, dhe analistë, kanë zënë të instalohen nëpër gazeta dhe revista si në Kosovë, si në Shqipëri. Nëse vazhdon të ndodhë kjo, atëherë për krijuesit e diapsorës do të ketë vite të vështira, do të ketë vite vetmie dhe harrimi të qëllimshëm nga ata që dëshirojnë të bëjnë ligjet e “vlerave” Si dikur, krijuesit e diasporës,do të jenë të injoruar, të mohuar dhe të anatemuar, por tash jo me paradigma ideologjike, por me ato refuzuese, gjelozie, sëmire nga ajo specia e kritikëve dhe shablloni i kritikës së imagjinuar zyrtare.
Emrat dhe veprat e krijuesve që i nënvizova këtu, është koha e fundit që t’i kthehen letërsisë sonë. Është koha që letërsia jonë t’i njeh të plotë. Ajo nuk duhet të pres aq gjatë siç ka pritur t’i kthehet, për shembull, Ernest Koliqi, Martin Camaj e Jusuf Gërvalla.

HAEMUS: Që të mos jesh dogmatik, nuk mjafton vetëm të kesh moshë të re. Idhujtaria dhe ngurtësia shpirtërore i hedhin vazhdimisht benzinë zjarrit të hershëm mes brezave (kronologjikë) të shkrimtarëve. Çfarë mangësish vëren poeti Xhemaili në marrëdhëniet mes autorëve të rinj dhe atyre të moshuar?

Mustafë XHEMAILI
: Pak njoh krijuesë në moshë që u ndihmon krijuesve me moshë të re. Nuk ka më Esat Mekul dhe Martin Camaj, që nxirrnin talente letrare. Disa krijuesë që dikur na kanë ndihmuar neve të rinjve në Kosovë (dmth. gjeneratës sime), tash nuk na përfillin. Me ndonjë përjashtim, të tillët, s’kanë pse të na përfillin neve. Tash, ne jemi në moshë. Madje për neve që jemi në diaspora përdoret me sukses thënia “larg sysh, larg zemrës!” duke treguar një shpërfillje të hapur, shpeshherë deri në ironi. Ndërsa ka prej atyre redaktorëve dhe krijuesve (edhe nga gjenerate ime të cilët veprojnë ngjashëm) që janë bërë profiterë të vërtetë. I ”gjuajnë”, ku janë e ku s’janë poetët e rinj dhe poeteshat e reja, që t’u redaktojnë, madje edhe rishkruajnë librat, recensionet dhe t’u marrin parat për librat e parë, të dytë, të tretë, që botojnë brenda një viti!!! Ka redaktorë e krijuesë, që kanë manipuluar edhe me tufa poezish në dorëshkrim të dëshmorëve të UÇK-së, me ato provat e tyre të sinçerta poetike, duke i shpifur si krijuesë me talent të jashtëzakonshme!
Redaktorët e dikurshëm që na ndihmonin sinqerisht, por rrogat e majme i merrnin nga pushteti i atëhershëm, ishin komodë e kulltofag. Madje, të tillët, i kushtonin poezi edhe Titos edhe LKJ-së, edhe Sutjeskës. Dhe përsëri pjesa më e madhe e tyre “udhëheqin” me strukturat e tashme në zhvillimet e kulturës, shkencës, letërsisë. Sigurisht mosha, hallet materiale, në mungesë të rrogave të dikurshme, një pjesë e mirë prej tyre, përfiton nga instalimi i turbullirës dhe mishmashit letrar, mbushur nga dëshira e ethshme e “krijuesve” për të bërë stoqe me letra të shkruara shëmtuar, dhe shpesh herë të lavdëruara pështirë nga po ata reaktorë, recenzentë e kritikë palaço!
Kështu ka ndoshur te “ne” në Kosovë i dashur Haemus, dhe vazhdon të ndodhë. Ndërsa në Shqipëri (dmth, te “ata”) është kujdesur partia dhe dogma e realizimit socialist që t’i “nxjerrë e t’i lindë” poetët, shkrimtarët, talentet e reja!
Sot, kam përshtypjen, se marrëdhëniet në mes autorëve të rinj dhe atyre të moshuar, në krejt hapësirën ballkanike shqiptare, janë marrëdhënie të zhbëra. Nuk ma merr mendja se krijuesve të moshuar u ha palla për të rinjtë. Le të bëjnë ç’të duan! Tash është “kohë tjetër” dhe askujt nuk i duhet këshilla letrare, miqësore, profesionale – sikur i dëgjoj që thonë me qëllim arsyetimi të dashakeqësisë së tyre për krijuesit e rinj. Veçanërisht për ata të talentuarit. Hedhja e benzinës në zjarr vazhdon të ndodhë. “Gjenratat” e krijuesve nuk kanë më asnjë lidhje mes veti. Ato veprojnë pa asnjë pikë gravitacioni. Madje është një prirje që të shkilet e baltoset edhe tradita jonë letrare, si letësia e vjetër, rilindasit, krijuesë të viteve të 30-ta, pjesë të vlershëme e “realizmit socialist”, dhe “hermetizmit kosovar”.
Këtej në diasporë, unë kam hasur bashkëpunim më të mirë krijuesit e rinj dhe ata të moshuar. Kam bërë një përvojë në bashkëpunim me krijuesit e rinj. Jam krenar që kam mundur, në shumë raste, t’u ndihmojë për t’i kaluar pengesat e fillimit të të kuptuarit dhe përdorimit të talentit të tyre. Me kënaqësi ua kam lexuar dhe redaktuar librat, ndërsa ata, të rinjë, plot vullnet e me talentë të theksuar, me durim dhe mirënjohje të sinqertë e kanë shtuar miqësinë me mua e me të cilët komunikoj vazhdimisht.
Por unë këtu dua të të përmend edhe ty i dashur HAEMUS. Je një revistë e re, por që po i mbledh dhe i përkrah edhe të rinjtë, po i afirmon në gjuhën e vet dhe në gjuhën e Emineskut, poetit të madh botëror. Dhe jo vetëm kaq. Revista Haemus është bërë një log vlerash të mirëfillta letrare me nivele evropiane. Dhe kjo vjen nga koncepti i qartë redaktorial dhe puna e jashtëzakonshme e një krijuesi me moshë, që jeton e vepron në Bukuresht, e një rilindasi modern , Akademiku Kopi Kyçyku.
Tash interneti ka bërë të mundshëm një lidhje më të shpejtë dhe komunikim ditor. Një mrekulli të tillë planetare, krijuesit shqiptarë duhet ta shfrytëzojnë për diskutim krijues, për ndihmë e mbështetje njëri-tjetrit. Më gëzon fakti që ka talentë dhe përkushtues edhe në informatikë. Ata kanë hapur faqet letrare personale, por edhe të përgjithshme e të hapur për të gjithë krijuesit, në nivele shumë të lakmueshme komunikimi. Njëri nga më të shquarit është Senad Guraziu, i cili ka krijuar faqen gjigande letrare në internet WWW.SEGURAWEB- një dritare në botën e arteve.

HAEMUS: Përvoja jote si intelektual që detyrohet të marrë rrugën e arratisë nuk është një përvojë e shpeshtë. Një poet i përfton ndryshe në vetvete kufijtë, ankthet dhe daljen në hapësira më të gjera e më të lira. A mund të na flasësh për atë grup zhgënjimesh, që provon pashmangshëm çdo mërgimtar kur detyrohet të shohë se pamja dhe thelbi i gjërave jo rrallë nuk përkiten?

Mustafë XHEMAILI
: Thotë një shprehje filozofike se e djeshma është historia, e tashmja është jeta, ndërsa e nesërmja është fantastikja.
Kur unë dola nga orbitra e Ballkanit, e Kosovës, e vendlindjes sime, Evropa Perëndimore luftonte ashpër kundër Evropës Lindore dhe anasjelltas. Tek atëherë e pashë se Evropa i qëronte hesapet e veta pikërisht në Ballkan! Këtë e pash në praktikë. Kjo më ka pikëlluar pamasë. Edhe më ka zhgënjyer. Prandaj rrëzimin e Murit të Berlinit e kam përjetuar me një entuziazëm të jashtëzakonshme. Unë e dija se do të vinte një ditë e tillë por aq shpejt, as optimisti më i madh nuk ka mundur ta parashikonte!
Një grup tjetër zhgënjimesh e kam përjetuar pas luftës çlirimtare në Kosovë, veçanërisht në ditët e sotme. Shqiptarët kanë filluar ta harrojnë të djeshmën – historinë e tyre, kanë filluar ta vrasin të sotmen – jetë ne tyre, dhe nuk mendojnë e punojnë sa e si duhet për të nesërmen që është e panjohura – fantastikja. E ajo, patjetër, do të vijë. Do të bëhet e sotme, pastaj e djeshme. Por si do të vijë? E gjakosur ? Me turp? E pamundur? Në formën e lodrës apo tragjikës? Në formën e robërimit apo të lrisë?!

HAEMUS: Veç të tjerave, latë në vendlindje një vëllim poetik, që më vonë mori titullin «Dorëshkrimi nga dheu». Bilal Xhaferri pat lënë edhe ai një dorëshkrim, mirëpo toka e bëri të palexueshëm. A ju shkoi mendja ndonjëherë se ai dorëshkrim mund t’i hapte telashe nënës suaj të nderuar? Mbase mund të meditohet pak rreth kësaj beteje fatnore mes krijimit dhe prindit. Lidhja mes prindit që ngulmon t’i shpëtojë jetën krijimit të krijesës së vet dhe krijimit që, për shkaqe krejt jashtëletrare dhe çnjerëzore, rrezikon të shkatërrojë mbrojtësin...

Mustafë XHEMAILI
: Bilall Xhaferi nuk kishte fat si unë! Fatkeq në jetë, fatkeq pas vdekjes. Por s’ka gjë! Ai ishte dhe mbeti krijues. Dorëshkrimi i tij është vet jeta e tij. Ate, dhe dorëshkrimin e tij të humbur, tash e njohim të gjithë! Ndërsa dorëshkrimi im falë Nënës Fatime sot është fizikisht para lexuesve. Nënat gjithmonë, jo vetëm që janë krijueset e jetës, por edhe mburojat e saj. Prindi më së miri e ndien rrezikun e zhbërjes. Prandaj ai reagon me kohë. Më fort e ndien dhe reagon nëna! “Dorëshkrimi nga dheu”, që u botua në vitin e kaluar (“Rozafa”, Prishtinë), e ka një histori. Në fakt ky libër është edhe një
“dokument letrar”, siç e ka vlerësuar kritiku Xh.Ahmeti, e një kohe të egër persekutimi të pushtuesve serbë dhe ndihmësve të tyre shqipfolës, që kanë bërë ndaj kulturës dhe letërsisë shqiptare në Kosovë.
Pas burgosjes apo ndjekjes politike, krijuesëve u ndaloheshin librat e botuara. Tërhiqeshin nga rrjeti i shitjes dhe ata heshteshin përfundimisht nga cenzura. Nuk flitej asgjë për ta dhe për krijimtarinë e tyre. Kështu ka ndodhur me Adem Demaçin, Xajë Nurën, Martin Camajn, Kosovë Rexhë Balajn, Jusuf Gërvallën etj. Mua më ishte ndaluar libri “Netëve të verës” (“Rilindja”, Prishtinë, 1982) dhe Antologjia “Lulet në ballkon”, (“Zëri”, Prishtinë, 1982), ku unë isha i përfaqësuar me një cikël poezish, si dhe u ndaluan të gjitha ritransmetimet e reportazheve, portreteve dhe emisioneve dokumentare e fejtonistike që kisha bërë në Televizionin e Prishtinës ku unë kisha punuar e krijuar për dhjetë me radhë.
Titullin origjinal “Dorëshkrimi nga dheu”, e kishte “Gjeografia e sëmurë”. Ate e kam shkruar në vitin 1979-80. E dija se nuk mund të botohej, prandaj ia dhash Lëvizjes Ilegale në Kosovë. Ajo e përdori për propagandë dhe edukim estetik të anëtarëve të vetë. Nga ky dorëshkrim pata nxjerrë vetëm poezinë “Pas pushtimit” dhe e dërgova në konkursin vjetor të revistës letrare “Jeta e re”. Poezitë dërgoheshin në konkurs me pseudonime. Poezia zuri vendin e parë. Ajo ka vetëm 13 vargje. U paraqita dhe ajo u botua në revistë më 1980! Më 1981 shpërthyen Demonstratat gjithëpopullore të Kosovës, për Republikën e Kosovës. Me arratisjen time nga Kosova në fillim të vitit 1984, dikush nga anëtarët e kësaj lëvizjeje, dorëshkrimin, që lexohej fshehtas dorë më dorë, ia dha nënës sime për ta fshehur. Ajo e fshehu në dhé, e ruajti me kujdes nga bastisjet, lagështia, lufta dhe shkatërrimi. Pas përfundimit të luftës më 1999, kur unë u ktheva pas 16 vjetësh në Komogllavë, Nëna Fatime, dorëshkrimin që e kishte ruajtur në dhé, (bashkë edhe me disa dokumente shkrime tjera) ma dha dhuratë me rastin e kthimit tim nga mërgimi politik. Kjo ishte dhurata më e çmuar në jetën time. Unë e kisha menduar të humbur dorëshkrimin! Prandaj për mua përbënte një gjë të jashtëzakonshme. Një simbol të rrallë. Një gjest mbinatyror! Nënës sime ia kishin marrë e burgosur më parë, pothuajse të gjithë fëmijët, katër prej të cilëve pastaj, shkuan në mërgim politik në Zvicër. Dikur, e burgosën dhe e torturuan edhe ate. Por, librin, e ruajti si sytë e ballit për të ma dhuruar një ditë. Për të më kthyer përfundimisht në letërsi, vokacionin tim të parë.
Brenda librit kam futur edhe një poemë dhjetëpjesëshe kushtuar mikut tim poet, kritikut tim më të mirë të poezisë, Jusuf Gërvallës. Ai u vra me atentat në Gjermani nga UDB-ja serbojugosllave, bashkë me vëllain Bardhoshin dhe me shokun e tyre të luftës ilegale, Kadri Zekën. E botova këtë poemë në “Dorëshkrimi nga dheu”, në nderim të Jusufit dhe të nënës së tij Ajshes. Ai aq shumë e ka dashur, e ka çmuar Nënën Ajshe, së cilës i shkroi poezi dhe i këndoi këngë aq të bukura. Gjatë gjithë jetës sime në mërgimin politik, vazhdimisht më është përzier fytyra i Nënës Fatime me fytyrën e Nënës Ajshe! (Ah, Nëna Ajshe, në Dubovik vdiç verën e këtij viti, ndjestë past!). Nënat rrinin atje, në Kosovë. Njëra në Dukagjinë e tjetra në Fushë Kosovë. Ato prisnin. Prisnin lirinë dhe bijtë e bijat e tyre që të dilnin nga burgjet; të shkuleshin nga vendet e huaja; t’u vinin nga llogoret e fushëbetejave të UÇK-së; t’u vinin nga mërgimi politik. Të ngriheshin nga varret në Perëndim! Dhe, sëpaku t’u dhuronin diçka me rastin e kthimit të tyre, deri sa janë ende gjallë: qoftë një puthje nëne në fytyrën prej mermeri, qoftë një tufë poezie të ruajtur me mall, qoftë një kujtim të etërve kallur në varr. Veç le të vinin. S’ka gjë! Vertikalisht, duke çaluar, apo horizontalisht! Le të vinë, le të vinë e të prehen në Kosovë. Dhe vërtetë, ata shkuan një ditë, te nënat. Ani se pas 16 vjetësh apo pas 20 vjetësh. S’ka rëndësi. Nënat janë aty. Varret e etërve gjithashtu. Në Dukagjinë e Fushë Kosovë. Edhe djemtë e tyre janë aty. Do të jenë përgjithmonë aty.
Thuhet se gëzimi dhe lumturia nuk krijonë poezi, letërsi. Ndërsa dhembja, malli, vetëmia, përhumbja, thyerjet e mëdha në jetën e njerëzve dhe atdhetë e tyre, krijonë poezi, krijonë letërsi të mëdha. Nëse është kështu, dhe duket se është, edhe shqiptarët kanë përparësi të theksuar. Shembull i përditshëm dhe real është letërsia që krijon Ismail Kadare, e cila është pranuar në mbarë botën.
Pra, shanset janë të krijuesve shqiptarë. Ata duhet të veprojnë!

HAEMUS: Cilët intelektualë shqiptarë keni njohur deri tani dhe cilët ndjeni se kanë pasur ndikim mbi kristalizimin e poezisë suaj?

Mustafë XHEMAILI
: Sigurisht kam njohur dhe njoh shumë intelektualë, krijuesë të fushave të ndryshme. Por për mua dhe krijimtarinë time janë të rëndësishëm: Përralltarja e fëmijërisë sime, Plaka Mirishah, të cilën e shikoja si një personë që ishte krijuar vetëm nga përrallat dhe rrëfimin e tyre e bënte si të ishin ato poezi! Rrahim Sadiku, shoku im i fëmijërisë, shkrimtari dhe luftëtari (tash invalid i luftës), me të cilin jemi rritur së bashku „në krahët e poezisë“, siç mund të thuhet në mënyrë idilike; Misret Halili, Musa Limani, dhe Ali Lubishtanin mësuesit e mi të fillores, të cilët ma kanë rrënjosur dashurinë për librin dhe letërsinë; Rexhep Qosja, i cili me ligjërimin si profesor imi i estetikës dhe krijues, gjithmonë më ka befasuar me ide dhe mënyrën e thënies së tyre; Agim Vinca, profesori im dhe krijuesi i cili është shkatari kryesor që të botohet libri im i parë „Netëve të verës“, recenzenti dhe analisti i disa veprave të mia, kurajuesi kryesor kur unë për ndonjë momenet hezitoja deri sa isha i ri; Ali Podrimja, ndihmatari shumë i mirë, i dikurshëm, i penave të reja që botonin librat e parë në bibliotekën „Plejada“ të Shtëpisë Botuese „Rilindja“ të Prishtinës, i cili u bë shtysi këmbëngulës që unë të botoj librin tim të parë qoftë edhe të cenzuruar, ashtu siç ndodhi; Ibrahim Rugova, kritik letrar, i cili më vlerësoi librin tim të parë dhe bëri zgjedhjen e poezive të mia për Antologjinë „Lulet në balkon“; Ruzhdi Pulaha, shkrimtari dhe dramaturgu i madh shqiptar, intelektuali i jashtëzakonshëm, miku im i shkëlqyer në Shqipëri, i cili, kur më 1997, ndodhi katrahura në Shqipëri, ai u gjend te unë në Zvicër. Të gjithë dëshironin të iknin nga Shqipëria, vetëm Ruzhdi Pulaha turrej dhe u fut nëpër flakë e plumba në Shqipëri. Jo për të bërë heroizëm, por nëse duhej, siç thoshte ai, të vdiste në vendlindjen e tij pranë familjes së tij! Bedri Dedja, shkrimtari i madh për fëmijë, miku im, i cili sa herë vinte në Zvicër më telefononte dhe kërkonte të takoheshim për të biseduar për poezinë. Në këtë vit Bedri Dedja vdiç, ndjesë pastë; Fatos Arapi, i cili gjatë fillimit të viteve 90-ta, ishte disa herë te unë. Qëndroi për disa javë reshtv në Zvicër, me të cilin bisedonim mbi letërsinë dhe politikën si dhe grindeshim pa kufinj, për zgjidhja e problemit të shqiptarëve a duhet të ndodhë në Tiranë apo Prishtinë. Dhe, më në fund, ramë në përfundim se, vetëm le të zgjidhej problemi i shqiptarëve, qoftë edhe në Bangladesh! Njëri ndër ata që, në mënyrë thelbësore, ka ndikuar mbi poezinë dhe përgjithësisht në krijimtarinë time, është Ismail Kadare.
Por këtu për lexuesit tuaj, i dashur Haemus, do të kujtoj më gjatë Jusuf Gërvallën, i cili ishte mësuesi im i vërtetë i poezisë.
Gjatë viteve 1977-1979 kam njohur poetin, gazetarin, puublicistin, këngëtarin dhe revolucionarin Jusuf Gërvalla, tash dëshmor i kombit. Në bisedat tona kemi folur gjatë për pozicionin e poezisë së re shqipe në Kosovë. Pikërisht «mosguximi» i krijuesve, siç e quanim ne në biseda, të cilat shpesh shndërroheshin në debate, për të shkruar e botuar poezi e letërsi që u flisnin nevojave të kohës: çlirimit dhe lirisë së Kosovës; padrejtësive që i ishin bërë nëpër histori, por edhe paaftësisë sonë për të bërë më shumë për të, kishin shkaktuar një lloj „hermetizmi“ apo „rrëshqitje“ kah ky lloj „izmi“ i disa poetëve në Kosovë. Këtë e vërtetonim edhe ne, kur shpeshherë „detyroheshim“ që të përdornim shumë metafora, parabola, simbole e mbi simbole në poezi për të thënë diçka, për të përhapur një mesazh, një kumt.
Me Jusuf Gërvallën, filluam një bashkëpunim të mirë në lëmin e krijimtarisë. Ai sa kishte botuar librin „Kanjushë e verdhë“ dhe me kënaqësi të veçantë ma dhuroi me autografin e tij si një vetëtim mbi qiellin e Kosovës. Unë e lexova me një frymë dhe në bisedat tona ia citoja mesazhet e kanjushës së verdhë duke biseduar më shumë për metaforën dhe simbolin në poezi.
Në vitin 1978 e përgatita një dorëshkrim me poezi me titull „Sportelet e padukshme“. Ia dhash Jusuf Gërvallës për dhënë mendimin e tij, mundësisht me shkrim. Ai e mori me interesim të veçantë. Të nesërmen u takuam përsëri në «Rilindja» ku ai ishte redaktor. Mendimin e tij për dorëshkrimin tim (dorëshkrimi im i parë), e kishte bërë me shkrim. Ai kishte nënvizuar vende-vende ku ai kishte menduar se janë poezitë më të qëlluara, të cilave ua kishte shënuar edhe titullin në fillim të reçensionit.
Një fletë A4, të shkruar me lapës, me një shkrim të rregullt, ma lëshoi miqësisht në dorë bashkë me dorëshkrimin. Ai i përsëriti ato që i kishte pas shkruar në letër, por shumë më me pasion duke shprehur një optimizëm të madh për poezinë time dhe mundësit e mia për krijimtari. Mua më habiste, por edhe më mbushte guxim me ato që m’i thoshte. Sikur diçka të lashtë shumë të lashtë e fisnike më zgjonte në qenien dhe vetëdijën time. Ai më tha disa herë se dorëshkrimi mund të botohet si i tillë. Por unë më vonë iu përmbajta udhëzimeve të tij që i kishte shkruar në reçensionin miqësor të tij për librin tim të parë. Megjithatë pjesa më e madhe e poezive të këtij dorëshkrimi u botuan në librin «Netëve të verës», më 1982.
Reçensionin në dorëshkrim të Jusuf Gërvallës e ruaj ende në bibliotekën time. Në librin „Dorëshkrimi nga dheu“ këto kujtim bashkë me dorëshkrimin e tij dhe poemën „Akademia solemne për Jusuf Gërvallën“ zënë një vend të vçantë. Këtë e bëra për shak se ndieja nevojë morale për të rrëfyer për atë kohë dhe për miqësinë që patëm. Unë, e kam ndier gjithmonë dhe e pranoj se, në fakt, Jusuf Gërvalla, ishte mësuesi im i vërtetë i poezisë, kritiku im më i mirë, më i pakompromis dhe më i vlerëshmi në rrugën time krijuese.
Lajmin për vrasjen e Jusufit, bashkë me vëllaun Bardhoshin dhe Kadri Zekën, nga shërbimi i fshehtë i Serbisë (UDB) të kryer në Untergrupenbah të Gjermanisë, e mësova nga një klegë imi i TVP-së Ai erdhi një të hënë të janarit 1982 të më vizitoj në Komogllavë. Unë isha i sëmurë dhe i shtrirë duke lënguar rëndë nga një ftohje dimri që e kisha fituar gjatë qëndrimit tim njëjavorë në fshatin Tanushë kur xhirova një dokumentar për Televizionin e Prishtinës. Ai më ngushëlloi, sepse e dinte se e kisha shok Jusuf Gërvallën dhe isha shoqëruar gjatë me të. Unë u përmbajta para tij, sepse isha i organizuar dhe militoja në Lëvizjen Ilegale të Kosovës. Posa shkoi Hakiu, mbylla derën e dhomës me çelës dhe në vetmi të plotë qava, qava, qava…
Më vonë, kur jam arratisur nga Kosova, kam shkruar e redaktuar shumë për Jusufin. Si në artikuj, ashtu edhe në intervistat e mia, jam përpjekur ta paraqes më të plotë figurën e tij prej militanti të jashtëzakonshëm. Vazhdimisht ka theksuar rolin e madh e të veçantë që kishte ai në luftë për lirinë kombëtare të Kosovës.

HAEMUS: Lexuesit do të donin të dinin diçka për familjen dhe farefisin tuaj, për mënyrën si e kaloni kohën e lirë, - nëse mund të flitet për diçka të tillë, - dhe për ‘tabiete’ të mundshme të të shkruarit.

Mustafë XHEMAILI
: Farefisin në Kosovë e kam shumë të gjerë. Xhemailët në Komogllavë, Ferizaj, Prishtinë dhe Shkup, janë familje të shumëta. Në Kosovë e kam nënën, katër vëllezër dhe një motër. Ndërsa në Zvicër e kam një motër tjetër. Të gjithë janë të shkolluar, të martuar dhe me fëmijë. Të gjithë janë të angazhuar dhe me punë të ndryshme. Nënës Fatime, një periudhë të gjatë i mungonin të gjithë fëmijët. Shpeshherë askush nuk ishte në shtëpi. Të gjithë fëmijët e saj ose ishin në burgjet serbe, ose në mërgim politik, ose në frontet e luftës çlirimtare. Edhe nënën Fatime, Serbia e torturoi dhe e futi në burg. Veç, vuajteve, plagosjeve dhe dëmtimeve shëndetësore, për fatin e saj të mirë, të gjithë fëmijët iu kthyen gjallë në shtëpi. Ajo, nga viti 1979, kur për herë të parë, njërin nga fëmijët, ia burgosi Serbia, e deri në vitin 1999, për 20 vjet me radhë, nuk i pa sëbashku fëmijët e vet. Vetëm pas 20 vjetësh, në qershorin e vitit 1999, duke iu falenderuar luftës heroike të UÇK-së, nëna Fatime, mundi t’i mbledhë të gjithë fëmijët e vetë në një sofër, dhe t’u shtroj atyre një drekë në shtëpin e tyre të lindjes e të rritës.
Unë në Zvicër kohë të lirë nuk kam. Por duhet ta krijoj për familjen time: gruan dhe tre fëmijët. Shetisim sëbashku mbi majat e Alpeve të Juras. Për mua dimri është i mrekullueshëm në Zvicër, ndërsa pranvera dhe vera një magji. Shkojmë në Shasral, një majë e lartë, ku ma kujton Majën e Lypotenit në Bjeshkët e Sharrit. Por në Lypoten shkohet në këmbë e më vështirësi, (kam qenë dy herë në maje të tij), ndërsa në Shasral shkohet me veturë. Nga aty shohim tre liqej njëherësh: të Biennës, të Neushatelit dhe të Murtenit. Kjo është një mrekulli më vete. Shpesh, me gruan, fëmijët dhe qenushin tonë të dashur Bily, shetisim nëpër peisazhet fshatareske të Kantonit të Bernës. Vetëm kur bëhet një shetitje e tillë nëpër fshatrat zvicerane, njihet dhe shijohet jeta e zviceranëve, një popull punëtor, i dashur dhe shumë, shumë atdhetar. Kam një kopësht pranë apartamentit tim dhe aty mbjellë lloje të ndryshme perimesh. Në këtë vit kam mbjellur edhe misër, një farë e bardhë nga Kosova. Misërnishtet (shtalbat) e ëmbëla i pjekim dhe i hamë si në vendlindje. Në kopësht kam vendosur një oxhak të madh. Nën një tendë vere, fundjava më gjenë, me miq shqiptarë ose zviceranë. Bisedojmë e çlodhemi mbrëmjeve pranë verës së kuqe të Valisit dhe mishit të zgarës skuqur në oxhak.
Kam një dhomë të kompletuar pune, një bibliotekë të madhe dhe një arkivë me shumë, revista, gazeta dhe dokumentacion. Nuk kam orar të caktuar të punës. Puna dhe rutina që kam pasur si gazetar dhe kryeredaktor, më kanë krijuar mundësinë që të punoj në çdo rrethanë. Por krijimi është tjetërgjë. Për mua laboratori personal nuk kupton vetëm kokën dhe stilolapsin (tash kompjuterin). Prandaj ngado që kam shkuar, dhe kudo që kam vepruar, jam kujdesur në radhë të parë, t’ia krijoj vetes kushtet që të kem një dhomë pune dhe një bibliotekë librash dhe gazetash. Pa një vend të tillë nuk mund të krijoj, nuk mund të meditoj në vetmi, nuk jam i plotë dhe i vetvetes.
Gjërat e shkruara i ruaj me gjelozi dhe jam “kopërrac” i vërtetë në botim. Dorëshkrimet i punoj vazhdimisht. Disa madje me vite të tëra. Në fakt më shumë kam libra në dorëshkrim se sa të botuar! Shpeshherë kam dëshirë të shkruaj me dorë, në fletore të bukura dhe me fletë gjysmë të verdha. Ato pastaj i ruaj si një thesar. Kështu kam vepruar gjithmonë që nga fëmijëria. Bashkë me librin “Dorëshkrimi nga dheu”, nëna kishte pas ruajtur edhe një ditar timin. Ajo nuk e kishte ditur se ai ditar ishte i fëmijërisë sime. Gjatë kësaj vere e kam shfletur me mall. Aty është i përshkruar edhe im at, puna e tij si murator dhe si bujk, përpjekja e tij për t’i rritur e shkollur 7 fëmijët. Unë jam më i vjetri nga ata. Im at ka vdekur pas disa operacioneve të panevojshme, e të njëpasnjëshme me thikat dhe bisturit e mprehta të një mjeku serb në spitalin e Prishtinës! Kur shkoi në botën tjetër, ndjestë pastë, im at kishte vetëm 6 vjetë më shumë se sa kam unë tash. Nëna ma kishte ruajtur librin poetik që e dija të humbur. Edhe ditarin e fëmijërisë e kishte ruajtur. Dhe bashkë me të, ishin ruajtur kujtimet e shkruara, mallëngjyese, për tim et, të cilat më vinin të shkruara kujdesshëm me dorën time të fëmijës në një fletore me vletë të verdha.