Ese
  Vepra     Botime tė reja     Nga shtypi     Intervista     Kritikė     Debate     Franēais     Deutsch     English     Ekspozita e poezisė     Kontakti     Copyright     Biografia  
Romani shqiptar nė hapėsirat evropiane
Indeksi:
aktuale

Mbi zhvillimet e poezisė sė sotme shqipe

A. Ana e jashtme
0.
Ende, edhe sot, për poezinë shqipe jemi të detyruar të flasim për dy krah të saj: Poezia shqipe që zhvillohet në Shqipërinë londineze dhe poezia shqipe që zhvillohet në Kosovë dhe jashtë saj.

1.
Është thënë, jo pa të drejtë, se poezia në Kosovë i prinë poezisë kombëtare. Ka ndodhur kjo për shkakun se poezia e saj u krijua në disa kushte më të veçanta. Megjithatë kjo ende duhet studjuar dhe verifikuar, pikërisht, për të mirën e poezisë kombëtare.
Dhimbshëm mund të konstatohet një e vërtetë: sot poezia në Kosovë, është më pak kualitative seç ishte në vitet 70-80-ta të shekullit që shkoi. Prurje të reja ka, por pak ka libra të mirë me vlera të larta artistike, të botuara në dhjetvjetëshin e fundit të shekullit që shkoi dhe në fillim të këtij shekulli.
Megjithatë, për fatin e mirë të së ardhmes së poezisë, mund të thuhet, se janë bërë disa lëvizje të rëndësishme në „modernizimin“ e poezisë, pikërisht nga poetët në Kosovë dhe disa poetë që jetojnë jashtë saj. Ata e kanë kuptuar se diçka po ndodhë dhe do të ndodhë për të mirë në poezinë shqipe, në kodin poetik të saj, në raport me kohërat moderne dhe zhvillimin e njeriut shqiptar në ballafaqim me këto kohëra.

2.
Pavarësisht se në Shqipëri nuk u dukën vepra të jashtëzakonshme poetike, pas rënies së regjimit komunist, siç mendohej dhe supozohej se do të ketë, veçanërisht nga krijuesit e përsekutuar dhe nga ata që nuk kishin guxuar të shkruanin nën regjimin e dikurshëm, poezia u krijua nga autorë të rinj, duke u bërë emra të njohur të poezisë shqipe. Në Shqipërinë londineze, pas rënies së diktaturës komuniste, poezia ka shpërthyer me nivele më të larta artistike. Një aradhë e poetëve të rinj kanë krijuar tashmë vepra me vlera të lakmueshme poetike. Ata janë në një linjë të „modernizimit“ të poezisë me atë tufën e vogël të poetëve të Kosovës që e kanë kuptuar se „diçka po ndodhë dhe do të ndodhë“ për të mirën e poezisë shqipe.
E pranoj. Parashikimet mbi kahjet e poezisë sot, mund të mos jenë gjithmonë të goditura. Lëvizshmëritë, rrëshqitjet marramendëse që kishte dhe që ka njeriu shqiptar në Ballkan dhe jashtë tij, si dhe tallazitjet e shpirtit, sjellin të paparashikueshmen, sjellin edhe të jashtëzakonshmen.

3.
Mirëpo, dua të vazhdojë mëtutje.
Zhvillimet e poezisë, tash për tash, në gjithë hapësirën poetike shqiptare në Ballkan, mbeten stihike. Kjo nuk do të thotë se zhvillimet e tilla duhet të disciplinohen. Por është e dëmshme, në mënyrën më të keqe, kur zhvillimet e tilla poetike nuk njifen, në radhë të parë, mes veti. Njohjen mes krijuesve duhet ta bëjnë, në radhë të parë, mediat e shkruara dhe elektronike, në nivel gjithëkombëtar. Mandej panairet, konkurset, bisedat poetike, bisedat poetikoletrare, bisedat e drejtpërdrejta lexues-poet, shpërblimet, manifestimet poetike dhe përfolja e tyre.
Një frenim i madh i zhvillimeve të mëtutjeshëm të poezisë, në ditët e sotme, është shkaktuar nga mungesa e një antologji kombëtare poetike. Veç kësaj antologjie kombëtare poetike, një shtëpi botuese mund t’i botojë edhe një seri vëllimesh antologjike. Me botime të tilla arrihet njohja mes veti.
Për kundër kësaj janë krijuar kohëve të fundit antologji regjionale nga përpiluesë që kanë emra në letrat tona. Por ato antologji kanë mbetur në nivele lokale, kanë krijuar huti dhe disa janë me vlera të dyshimta. Antologjistët nuk e morën mundimin të krijojnë një antologji tjetërfare. Të bëjnë një përfaqësim të denjë poetik para vetes. Nëse ne nuk e njohim në radhë të parë vetveten, si kërkojmë të na njohin të tjerët!?! Jam i bindur se pjesa më e madhe e poetëve shqiptarë as që e kanë lexuar njëri-tjetërin, sepse nuk i kanë krijimet e tyre. Ja, për shembull, tash premton se do të filloj punën PEN Qendra shqiptare. Si do të paraqitet ajo para vetes dhe të tjerëve kur nuk e ka asnjë lloj antologjie në nivel të zhvillimeve të poezisë së Kosovës, në nivel të zhvillimeve të poezisë në Shqipëri dhe në nivel të zhvillimeve të poezisë gjithëkombëtare?!



B. Ana e brendshme

4.
Nga ana kualitative poezia e sotme shqipe, duhet të „rinovohet“. Kjo nuk mund të bëhe me direktiva. Dhe falë Zotit që nuk mund të bëhet! Ua kam droen vetëm antologjistëve, sepse ata po e marrin rolin e drejtuesve dhe dhënësve të direktivave duke bërë antologjira, shpeshherë tepër të këqija, siç është për shembull „Metafora e arratisur“ që u botua pak kohë më parë dhe u reklamua si një gjë „e rëndësishme për kulturën tonë“!

5.
Poezia shqipe, edhe në ditët e sotme, vazhdon ta ketë mbi kurriz misionin e të kaluarës dhe të tashmes: këndimin e historisë dhe të sotmes në mënyrë epikolirike; këndimin e dashurisë në mënyrë platonike; këndimin e ndjenjës vetëm në sipërfaqe. Kjo ka ndodhë sepse ka kushtëzuar gjendja e shqiptarëve në Ballkan dhe e atyre në mërgatë. Mirëpo, sot ky mision i poezisë, tashmë, ka zënë të keqpërdoret, të marrë një dimension të mërzitshëm, bezdisësh. Sepse, shumica e librave të botuar nuk ndryshojnë në konceptimin dhe paraqitjen e ndjenjave të tilla para lexuesit. Madje as para vetë autorëve. Shumica e tyre as që dëshirojnë ta ndiejnë. Një poetë që boton për herë të parë, patjetër që do t’ia kushtoj një pjesë të vjershave Atdheut, tokës së të parëve, trashëgimisë, prejardhjes; ndjenjës së dashurisë, pikëllimit, dëshpërimit që shkakton humbja; malli për vendlindjen, për nënën, për të afërmin… E gjithë kjo do të ishte në rregull, sikur poeti në laboratorin e vet të krijonte vargje që do të paraqiste një dimension tjetër të ndjenjës së vet, tjetërfare nga poetët pararendës. E pra edhe kjo nuk do të ishte krejt e keqja, sikur ai të përpiqej të krijonte një nëntekst më të fuqishëm se pararendësit mbi ndjenjën për atdheun, mbi mallin, mbi dashurinë, mbi urrejtjen. Shumica e autorëve të botimeve të librave të poezisë, veçanërisht gjatë dhjetvjetshit të shekullit të kaluar dhe vjetëve të para të këtij shekulli, si në Kosovë, si në Shqipëri, si në Maqedoni e gjetiu, si në mërgatën letrare, të japin përshtypjen se nuk kanë lexuar as Naimin, as Çajupin, as Migjenin, as Esat Mekulin, as Dritëro Agollin, as Fatos Arapin, madje as Agim Vincën, Visar Zhitin e Ali Podrimjen. Që të kenë, sëpaku, kulturën e përgjithshme mbi poezinë shqipe.

6.
A është gjithë kjo që duhet folur dhe “kritikuar”. Sigurisht që jo. Poezia shqipe që krijohet sot ka ende mangësi të mëdha. Më e madhja mangësi është teksti i dobët letrar dhe nëntekstet poetike të lehta, të paqëndrueshme dhe fare të parëndësishme. Shtresimet poetike, krijohen me metafora, krahasime, simbole, parabola, arketipe etj. Kam përshtypjen se një pjesë e mirë e atyre që shkruajnë poezi as që çajnë kokën për këto “gjëra”, për këto “vegla”, pa të cilat as që mund të ndërtohet poezia, teksti letrar, nëntekstet poetike dhe as që mund të quhet poezia - poezi.

7.
Megjithatë, unë kam hasur dhe lexuar libra të shkelqyer të poetëve që botuan në këtë periudhë, pikërisht me motive dhe tema të tilla, me ngarkesa të mëdha poetike me tekste të forta letrare, me nëntekste të jashtëzakonmshme poetike, që kanë për bazë ndjenjën e njeriut të vetmuar apo të shkatërruar nga lufta, krimi, mosdurimi, jotoleranca, shtypja, tortura fizike e shpirtërore nga malli për atdheun, dashurinë, urrejtjen, sëmundjet, vendlindjen, harrimin, njeriun e antinjeriun. Edhepse librat e këtyre poetëve shpesh kanë mbetur nën hije të cenzorëve, nën mëshirën e hapësirave të pakta për kulturë të gazetave dhe revistave, nën hijen e ekraneve televizive, nën harresën dashakeqëse të atyre që ndajnë shpërblime për vepra letrare dhe që bëjnë promovime të bujshme, shpeshherë false.

8.
Libra poetikë me vlera të larta artistike, megjithatë, botohen dhe lexohen edhe në këto kohë të vështira në hapësirën poetike shqipe ballkanase. Gjeografia e përthyer shpirtërore poetike e poetëve shqiptarë në regjion, po lëvizë ngadalë por me shqetësimin artistik në kahjen e mirë, në anën e duhur. Një shkallëzim i lartë poetik i poezisë së sotme shqipe, hetohet te poetët që janë jashtë Atdheut fizik, te mërgata poetike të saj. Librat e poetëve të tillë, ani se ngadalë, por sigurt po shkojnë deri te lexuesi real i tyre, deri te jeta e tyre artistike, për të jetuar përgjithmonë
Kjo gëzon dhe të bënë optimist, sepse poezia shqipe do të bëhet konkurente reale poetike në oborrin e madh të poezisë evropiane, një oborr plot huqe e truqe, plot koprraci e sqimë, si poezia e vërtetë.
Si poezia shqipe.

C. Ana tjetërfare

9.
E kam fjalën për VARGËZIMIN,
tek thurrja e vargjeve, tek shkrimi i „poezisë“, që nga klasët e fillores, siç, shënon shpesh në biografitë e poetëve (!), madje duke e theksuar se cilin varg a poezi e ka shkruar për të parën herë! Thua se kjo e ka përcaktuar vlerën e poetit në të ardhmnen.
Ndoshta në këtë botë çdo gjë mund të krijohet, madje do të kllonohet edhe njeriu! Por vetëm POEZIA nuk mund të krijohet me dhunë!
Poetët e kanë parasysh, por jo të gjithë janë të sinqertë. Në atë laboratorin e tyre, shumë prej tyre hyjnë si të hyjnë në një sallon festiv, me gjëra të gatshme, tavolina të shtruara poetike, fraza e fjalë që i shënojnë posa t’iu bien ndërmend. Fare të parëndësishme. Pa peshë, të rrëshqitshme, pa ndjenjë. I fusin në vjershat e tyre dhe i botojnë në gazeta, revista, libra, antologji. Madje nga 4-5 apo gjashtë libra me vjersha brenda një viti!!! E si është e mundur kjo! Kaq e lehtë dhe e parespektueshme, kaq e përdalë, kaq lavire na qenka poezia sa, një poet, mund të shkruaj për shembull 300 poezi në vit dhe t’i botojë 5 libra me ato vargje!? Kaq e lehtë qenka poezia? Jo! Nuk mund të jetë kurrë kështu! Kaq i lehtë nuk mund të jetë kurrë kërkimi dhe gjetja i xhevahirve nëpër guroret e maleve të thata me hone, gremina e maja të thepisura. Kaq i lehtë nuk mund të jetë kurrë gjetja e burimit të jetës në shkretëtirën e Gobit!?
Gjithmonë poetët aventurierë që kanë menduar dhe që mendojnë kështu, ose kanë vdekur, ose do të vdesin bashkë me librushkat e tyre pa e gjetur asnjë xhevahir, pa e gjetur asnjë burim ujëkristali në shkretëtirë, pa e gjetur kurrë vetveten, pa e gjetur kurrë poezinë.

10.
E kam fjalën te POEZIA,

ajo ndjenja sublime që del nga ndjenja e stërholluar e poetit, siç lindë partitura muzikore për një vals, për një arie muzikore nga krijuesi i muzikës, kompozitori. A është një dhunti poezia për poetin!? Mendoj se jo! Nuk është dhunti! Por është një privilegjë që mund të quhet dhunti! Poeti këtë «fenomenë» do ta kapë shpesh në veprim e sipër brenda harkut të jetës e tij duke hulumtuar në laboratorin e tij. Vetëm të tij! Veçanërisht mund ta ndjenjë atë dhunti, pra, atë privilegjë, atë “fenomenë” kur ai ka krijuar përvojë që ta shikojë botën jo si të tjetër, kur e shikon njeriun jo si të tjetër. Kur ai, në raport me vetveten hynë më thellë dhe në mënyrë më komplekse, më të çuditshme, më befasuese, më fantastike, më sublime, dhe të jetë i gatshëm që të «vdes» për një varg, për një fjalë! Të «vdes» bukur që fjala poetike t’i dalë bukur! Pra, poeti, krijon një laborator benda vetes, dhe hynë aty gjithmonë me drojë, me frikë, i alarmuar sepse aty do ta pret e panjohura, e frikshmja, misteriozja, e paarritshmja, «vdekja» e bukur! Nga atje ai do të shtanget, sepse do t’i thurrë fjalët dhe fjalitë jo si të tjerët, jo si të rëndomtit! Ai do të mendoj jo si të tjerët, jo si fqinji, jo si provinciali, jo si urbanisti. Nuk do të pajtohet me askend, dhe nuk do të ndalet askund. Nuk do të pajtohet as me vetveten. Dhe, në radhë të parë, duhet të luftoj, pikërisht me vetveten.
Nga laboratori i tij, poeti do ta shoh gjithkend, por jo siç shikojnë të tjerët, jo siç mendojnë e veprojnë të tjetër, por ndryshe.
Shikim, mendim, veprim e shkrim ndryshe.
Tjetërfare.Mars 2004, Zvicër