Debate
  Vepra     Botime tė reja     Nga shtypi     Intervista     Kritikė     Ese     Franēais     Deutsch     English     Ekspozita e poezisė     Kontakti     Copyright     Biografia  
Autori dhe lexuesi
Indeksi:
aktuale

Letėrsia shqipe dhe bashkimi kombėtar


Një debat për letërsinë është interesant në një kohë jo të mirë për letërsinë
. Dhe ky debat mund të bëhet dhe është i denj edhe për Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, për Institutin Albanologjik të Prishtinës, për Shoqatat dhe Lidhjet (e ndryshme) të shkrimtarëve në Shqipërinë, për katedrat e letërsive të Fakulteteve Filologjike të universiteve shqiptare në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, apo edhe të organizohet ndonjë konferencë kombëtare mbi këtë temë.

Ky debat nuk do të ishte krejt i ri. Në fakt ai ka filluar të diskutohet dhe përfolet që nga ndarja fizike e Kosovës dhe pjesëve të saj nga Shqipëria, më 1913.
Qysh atëherë çdo gjë ka filluar të ndahet! Fatkeqësisht, ndarje të tilla vazhdojnë edhe sot!
Të gjithë e dijmë se shpeshherë flitet dhe shkruhet, veçanërisht kohëve të fundit, se po të krijohet shteti i Kosovës, duhet të krijohet edhe gjuha e saj, letërsia e saj, kultura e saj. Madje ka edhe ndonjë revistë që botohet në Kosovë dhe Shqipëri të cilat bëjnë thirrje të vazhdueshëm që dialekti gegë të bëhet gjuhë e dytë (apo e parë) shqipe! Po shqiptarët e Maqedonisë dhe të Malit të Zi dhe ata të diasporave, cilinë gjuhë do ta flitshin, atë të Kosovës, Shqipërisë, apo do të krijonin gjuhët dhe letërsitë e veta!!?
Në debate të tilla mbi “ndarjen e letërsisë”, mbi “ndarjen e gjuhës”, jo rrallë, diskutuesë, shkruesë, dhe analistë, kanë shkelur rëndë, shumë rëndë, madje edhe mbi rrënjët e letërsisë dhe mbi rrënjët e gjuhës shqipe. Veçanërisht këtë e kanë bërë disa gazetarë, jo pa ndikim, dhe të vetëquajtur analistë dhe kritikë të ndryshëm, të cilët në emër të një kosmopolitizmi, dhe në emër të një demokracie liberale, të shkojnë deri atje, sa të kërkojnë dhe arsyetojnë hapur ndarjen e dhunshme të letërsisë dhe gjuhës shqipe.
Nuk kam pretendim ta fyej askend, por me që jam përjetues i disa kohërave të errëta që ka kaluar Kosova (dhe ato nuk janë të largëta), nuk mund të mos e marrë një shembull: Dikur, ndarjen e letërsisë dhe gjuhës shqipe të Kosovës(!) nga letërsia dhe gjuha shqipe e Shqipërisë(!) e kërkonte me këmbëngulje Serbia. Madje Serbia, dhe jopak shqipfolës të asaj kohe, ndoqën dhe torturuan qindra e mijëra shqiptarë të Kosovës, shpeshherë deri në vdekje, të cilët kishin guximin më të madh se të tjerët, të thonin e shkruanin hapur se kultura dhe gjuha shqipe është një dhe e pandarë për të gjithë shqiptarët, pavarërisht se në cilat shtete jetojnë.

Nga ajo kohë, ky debat, ka ardhur deri në ditët tona. Por tash këtë debat nuk e udhëheqë Serbia! Tash debati bëhet dhe udhëhiqet nga vetë shqiptarët në emër të “fjalës dhe shprehjes së lirë”, në emër të lirisë dhe demokracisë, liri dhe demokraci të cilat ende janë shumë larg nga Kosova! Pra të krijohen dy letërsi shqipe, dy gjuhë shqipe, dy kultura shqipe! Madje sa më shumë letërsi të ndryshme shqipe dhe gjuhë të ndryshme shqipe, në baza dialektore dhe substrateve të tyre. Pretenduesit e tillë, madje, marrin shembuj nga praktikat e botës së qytetëruar që kanë zhvillime të larta demokratike, si gjuhën dhe letërsinë gjermane, franceze etj. Duhet të thuhet menjëherë, që këtu, se austriakët, për shembull, shkruajnë dhe flasin pastër gjermanisht dhe janë shtet tjetër nga Gjermania. Ndërsa, Franca, për mbrojtjen e gjuhës frënge solli një ligj kundër invazionit të fjalëve të huaja, të cilin ligj, detyrimisht, duhet ta zbatojnë universitetet, shkollat, institucionet, shtypi dhe mediat elektronike.
Edhe diçka tjetër: deri sot asnjë shkrues dhe analist, për të cilët po flas, nuk i ka marrë shembull gjuhët sllave! Për shembull formimin e gjuhës serbe, kroate, boshnjake, maqedone, bullgare, ruse…! Ose për shembull gjuhën greke! Dhe, me sa i njoh unë disa nga këta shkruesë dhe analistë shqiptarë, gjuhët sllave dhe gjuhën greke, i flasin më mirë se gjuhën shqipe, madje edhe më mirë se dialektet gegë dhe toskë!

Të gjithë armiqëve të shqiptarëve i është përshtatur që letërsia shqipe të përfaqësohet (dhe të shkruhet) vetëm brenda 28000 km2, pra vetëm në Shqipërinë londineze! Ndërsa gjuha që do të flitet në Kosovë dhe letërsia që është krijuar dhe që do të krijohet këtu, duhet të jetë sa më e ndryshme nga ajo e Shqipërisë londineze! Gjuha dhe letërsia e “Kosovë e Metohisë”, që dikur ishte e pakicës „shiftari“ ndërsa gjuha e atyre në Albania e “allbanacave”, me çdo kusht duhej të diferencohet. Të jetë NDRYSHE!
Ndërsa sot ndërtohet “njeriu e ri” në Kosovë që do të quhet “KOSOVARI”. Ky është projekti i madh eksperimentues i UNMIK-ut dhe Serbisë kundër Kosovës! Prandaj “kosovari” do të ketë kulturë dhe letërsi si dhe gjuhë tjetër nga “allbanacat” e Albanias!
Unë nuk jam kundër termit KOSOVAR, por jam kategorikisht kundër eksperimentimit dhe krijimit në mënyrë artificiale dhe të dhunshme të “dy a më shumë letërsive”, kundër “dy e më shumë gjuhëve” shqipe! Jam, kategorikisht, kundër ndërtimit të „njeriut të ri”, në bazat eksperimentuese laboratorike në geton e quajtur Kosovë!

Letërsia shqipe që krijohet në Shqipëri, si e tillë nuk mundet dhe nuk duhet të përfaqësojë në botë letërsinë e përgjithshme shqiptare që krijohet sot në hapësirën Ballkanike shqiptare. Një problem tjetër, në Shqipëri, është çështja e vlerave. Mendoj se edhe në këtë drejtim Shqipëria nuk mund të përfaqësoj denjësisht gjithë letërsinë shqipe në botë. Jo pse nuk ka vlera, por sepse edhe në Kosovë ka vlera letrare për përfaqësim. Vlera letrare shqipe ka edhe në Maqedoni edhe në Mal të Zi por edhe në Mërgatë.
Në rrethanat e tilla shtrohet çështja se çka të bëhet, kur tashmë, nëpër manifestime ndërkombëtare veç paraqitet Shqipëria dhe herë-herë Kosova, dhe shumë më rallë sëbashku! Kush e ka në dorë këtë punë dhe si mund të zgjidhet ky problem përfaqësimi dhe paraqitjeje para botës? Natyrisht, se ato mund të përfaqësohen, por vetëm si dy shtete, në manifestimet dhe qarqet letrare ndërkombëtare. Letërsia e Austrisë, për shembull, përfaqësohet vet në botë sikurse edhe letërsia e Gjermanisë apo e gjermanëve të Zvicrës. Por, ata flasin të njejtën gjuhë dhe kanë të njejtën kulturë. Letërsia e gjermanofolësve në Evropë, shprehë ndjenjën dhe aspiratat e njejta, sepse pothuajse, edhe kushtet e jetesës, mentalitetet, psokologjinë, rrethanat ekonomike, politike e strategjike, i kanë të njenjta. Edhe letërsia shqipe, ani se nesër, pasi të krijohet shteti i Kosovës, mund të paraqitet veç e veç në botë, vlerat, aspirtatat, mesazhet dhe përgjithësisht brumin e jetës do ta ketë të njejtë, sepse, historikisht, letërsia shqipe nuk ka pasur ndarje dhe përçarje, sepse edhe ajo ka shprehur dhe shprehë edhe sot ndjenjën dhe aspiratat e njejta, sepse pothuajse, edhe kushtet e jetesës së shqiptarëve, mentalitetet, psikologjinë, rrethanat ekonomike e strategjike, i kanë të njenjta. Me ndonjë analizë, apo simpozium shkencor, mund të vehet në pah, vetëm letërsia që u krijua gjatë periudhave të ndryshme, nga koha e socrealizmit në Shqipëri dhe në disa periudha të paspushtimit në Kosovës.

Kosova nuk ka LIRI deri sa nuk ka PAVARËSI. Pra mungesa e pavarësimit të Kosovës shtet më vete, ka shkaktuar mungesën e lirisë së Kosovës. Është krejt e kuptueshme se një pjese të letërsisë shqiptare, pra pjesës që është krijuar dhe që krijohet në Kosovë i janë të lidhura duart dhe këmbët. E kjo shihet veçanërisht në rrafshin e përfaqësimit të saj në botë. Nuk je shtet - nuk të njeh askush! Nuk je shtet nuk - të pranon askush! Madje kështu bënë, shpeshherë, edhe Shqipëria dhe strukturat e saja kulturore e letrare. Fatkeqësisht!
Unë, letërsinë dhe zhvillimin e letërsisë shqipe e shoh ngusht të lidhur me lirinë kombëtare të Kosovës. Pavarësisht se letërsia tejkalon konceptin e shtetit, për problemet për të cilat po debatojmë, liria kombëtare e një populli ndikon jetësisht në zhvillimin edhe të letërsisë. Pra, rrjedhimisht, edhe liria dhe pavarësia e Kosovës, domosdo, do të ndikojnë pozitivisht në letërsinë që krijohet në Kosovë, madje në gjithë hapësirën ballkanike shqiptare dhe në mërgatën shqiptare.
Në fakt, BASHKIMI KOMBËTAR i popullit shqiptar në Ballkan, është zgjidhja kryesore edhe për letërsinë shqiptare në Ballkan. Megjithatë, tash për tash, letërsia shqipe do të zhvillohet edhe pa shtete të formuara e të zhvilluara edhe pa bashkime kombëtare. Do të zhvillohet sigurisht, por shpeshherë e gjymtuar dhe e dëmtuar rëndë. Më vonë, mjerisht, riparimet e saj në historinë e letërsisë shqipe do të bëhen përgjithmonë të pariparueshme. Ashtu siç ka ndodhur disa herë deri më tash në historinë e letërsisë shqipe.

Autorë shqiptarë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal i Zi, Mërgatë, për mendimin tim shkruajnë dhe krijojnë në mënyrë integrale letërsi shqipe. Shpirti i krijuesit shqiptar është i njejtë dhe i pandashëm. Unë jetoj qe 20 vjet në mërgim politik, në Zvicër. Por sa kam parë unë dhe sa kam informacione për krijuesit në mërgatë si në Zvicër, Gjermani, Itali, Francë, Belgjikë, shtetet Skandinave, krijuesit shqiptarë krijojnë veprat e tyre në linjën e përgjithshme të letërsisë shqipe që krijohet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo Mal të Zi.
Krijuesit shqiptarë në mërgatën evropiane, kanë bërë një prurje të re të vlerave letrare si në poezi poashtu edhe në prozë, por edhe në kritikën letrare. Madje kam përshtypjen se këta krijues janë paksa më këmbëngulës në botimin e veprave të tyre. Lënda e trajtuar nga ata, përputhet me ndjenjat dhe aspiratat qytetare dhe intelektuale të njeriut shqiptar në Ballkan dhe në Evropë. Pa i përmendur krijuesit e gjeneratave më të hershme që veprojnë dhe krijojnë bindshëm në shtratin e letërsisë shqipe, duke sjellur vazhdimisht vlera artisike, unë, këtu, dua t’i përmend ata krijuesit, që edhe në moshë janë të rinj, fakt ky, që më gëzon shumë, të cilët që tani, kanë shënuar prurje vlerash të reja në letërsisë shqipe: Ardian Christian Kyçyku, Riat Ajazaj, Isuf Sherifi, Ferdinand Laholli, Vaxhid Xhelili, Beqë Cufaj, Elvira Dones, Bujar Salihu, Valdet Berisha, Xhemajl Sadriu etj. Ndërsa me ktitikë letrare Xhemal Ahmeti.
Një lulëzim të ri e kanë përjetuar, Arbëreshët e Italisë në krijimin e letërsisë arbëreshe. E vetmja kjo letërsi, që krijohet nga arbëreshët e Italisë, mund të konsiderohet si letërsi tjetër shqipe. Një pjesë nga ata krijuesë shkruajnë arbërisht. Ndjenjat ata i shprehin në mënyrë integrale, ato të njeriut arbëresh, që do të thotë, të njeriut nga Ballkani që është arratisur nga aty para pesë shekujsh dhe është dyzuar në një vend të huaj. Por edhe ata që krijojnë në gjuhën italiana, siç është krijuesit i famshëm në gjithë Italinë, romancieri arbëresh Carmine Abate, nga Karfici i Kalabrisë, personazhet e veprave të tij i ka arbëreshë me traditat shqiptare të trashëguara brez pas brezi, por veprimet dhe të bëmat i realizojnë në ambiente të tjera joshqiptare. Dihet se ambientet nuk përcaktojnë gjithmonë, integralitetin e një letërsie. Mendoj se psikologjia e personazheve përcakton më së miri integralitetin e një letërsie.
Origjinaliteti, veçantitë dhe vlerat letare të krijuesve në diaspora, gjithësesi theksohen. Ato asnjëherë, nuk dalin nga shtrati i letërsisë shqipe. Madje as atëherë, kur shkrimtari i ri Xhemajl Sadriu nga rrethina e Gjilanit, që jeton në Zvicër, shkruan romanin e parë të tmerrit në gjuhën shqipe, me titull „Total Horror“, personazhet kryesorë janë shqiptarë, me psikoligji, zakone dhe bystytni shqiptare.
Pra, letërsia që krijohet nga krijuesit në diaspora (me përjashtim të krijuesve arbëreshë), nuk përfaqësojnë një segment më vete, por janë pjesë integrale e asaj që quhet letërsi shqipe.

Në radhë të parë, duhet ta njohim vetveten. Kur isha student në Prishtinë, në vitet shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, në Fakultetin Filozofik (sot Filologjik), Dega e Letërsisë dhe e Gjuhës Shqipe, asistentit (atëherë, e sot profesorit) të Letësisë së Sotme Shqipe, Dr. Agim Vincës, ia shtronim shpesh këto pyetje: Profesor, ne po dalim specialistë të letërsisë nga kjo katedër, nga ky fakultet. A e meritojmë, një titull të tillë, deri sa nuk e njohim opusin letrar që është krijuar dhe që krijohet në Shqipëri?! Po studentët, kolegët tanë në Tiranë, a e meritojnë të jenë specialistë të letësisë shqipe, derisa nuk e njohin opusin e letërsisë shqipe që krijohet në Kosovë dhe Maqedoni? Për kohën dhe rrethanat që gjendej Kosova, Profesori Vinca, na e shpjegonte drejt problemin. Por diskutimet mes studentëve merrnin flakë në katedër, ndërsa përgjigjia, brenda pyetjeve dhe problemit që shtronim – ishte gjithmonë negative.
Ja pra edhe sot është i njëjti problem! Por tash i zgjeruar dhe i «hedhur» për diskutim, për debate, për zgjidhje! Gjithësesi, në radhë të parë ne duhet ta njohim vetveten dhe të paraqitemi sëbashku brenda hapësirës sonë gjeografike, brenda vetes, brenda hapësirës krijuese shqiptare në Ballkan dhe më gjerë. Vazhdimisht e më shumë po dalin në sipërfaqe në hapësirën letrare të Shqipërisë 28000 kilometërshe, edhe vlera të tjera të letërsisë që krijohet në Kosovë. Në Shqipëri, tash botohen më shumë vepra të autorëve nga Kosova dhe autorëve të tjerë që janë nga Kosova e Maqedonia por që krijojnë në diaspora. Mirëpo, kjo është ende pak për ta njohur vetveten. Shqipëria duhet të bëjë shumë më shumë për botimin dhe njohjen e vlerave të autorëve jashtë kufijve të saj politikë.
Megjithatë, unë shohë lëvizje pozitive në këtë drejtim. Tashmë po standartizohen disa manifestime të përbashkëta letrare, konkurset dhe Panairet kombëtare të librit. Manifestimet letrare dhe çmimet që dalin nga ato është mirë që të bëhen në nivel gjithkombëtar, siç është për shembull Konkursi Kombëtar i Dramës. Mund të bëhet konkurs kombëtar për poezi, për tregim, për roman në nivelin gjithkombëtar. (Për shembull Shtëpia Botuese “Buzuku” e ka konkursin për roman). Dhe, ato konkurse, të organizohen në nivelet më të larta të institucioneve të kulturës të Kosovës, të Shqipërisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi dhe të inkuadrohet mërgata krijuese brenda tyre.

Letërsia nuk mund të kontrollohet dhe as që duhet të kontrollohet, por nga ana tjetër, nëse letërsia nuk mbështetet, përcillet, „organizohet“ nga një sistem, SISTEM VLERËSIMI, ajo letërsi është e përcaktuar vetvetiu të dështojë në periudha të caktuara, kur, pikërisht MUNGON sistemi i vlerësimit. Me këtë sistem, me këtë aparaturë, zakonisht kuptohet mekanizmi, disiplina që quhet KRITIKË. Kritika po, por cila kritikë? Nuk mund të jetë kritikë, ajo kritikë, e cila, librave të botuar, u qaset sipas disponimit dhe dëshirës së autorit të librit (librave), ose pagesës për reçensionin nga vetë autori.
Ata që mund t’i kujtojnë vitet 80-ta në Kosovë, të shekullit që shkoi, librat që u botuan, që nga fillimi, iu nënshtruan një vale të rreptë të kritikëve. Për shmebull për librin tim të parë “Netëve të verës“ të botuar në vitin 1982, menjëherë pas botimit, në gazeta dhe revista të ndryshme, që nuk ishin të pakta për atë kohë, u botuan 15 kritika dhe vlerësime nga kritikët më të spikatur të asaj kohe. Kështu ndodhte edhe për të gjithë librat e autorëve të „gjeneratës sime të viteve 80-ta“. Po sot, cilët kritikë, shkruajnë për librat e parë, të dytë... të autorëve të rinj?! Pjesa më e madhe e librave të botuar, as që përfillen nga vegla që quhet KRITIKË. Pjesa më e madhe e librave të tillë mbesin as edhe pa një reçension të vetëm! Pra, kaherë është paraqitur problemi i quajtur SISTEM I VLERËSIMIT, sistem që e krijon dhe e ngritë vetëm KRITIKA.
Por a ka mundësi të dihen sot nga kritikët, pa le më nga lexuesit, se sa libra autorialë botohen nga botuesit shqiptarë brenda një viti në hapësirën ballkanike shqiptare dhe në diaspora? Sigurisht që nuk dihet!!!
Por kur, ku, nga kush dhe si mund të mblidhen të gjitha botimet? Sigurisht që Shoqata e Botuesve Shqiptarë e ka për detyrë që, sëpaku, nga botuesit të kërkojë ta respektojnë një rregull të thjeshtë: ekzemplarët obligativë të librave të botuar t’i dërgojnë në bibliotekat universitare dhe shtetërore në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Tetovë, Ulqin... Nëse askund tjetër, aty do të kenë mundësinë KRITIKËT, të gjejnë botimet e reja, dhe, për ato që interesohen.
Ah sa e thjeshtë kjo punë dhe sa e komplikuar!
Biel-Bienne (Zvicër), më 19 tetor 2003