Vepra
Botime tė reja
Nga shtypi
Intervista
Kritikė
Ese
Debate
Franēais
Deutsch
English
Ekspozita e poezisė
Kontakti
Copyright
Biografia
Indeksi:
aktuale

Njė model disidenti politik, publicistik...

Me rastin e 30-Vjetorit të krijimtarisë letrare dhe politike dhe publicistike të Mustafë Xhemailit
Pas vitit 1981, një numër i madh i shqiptarëve që nuk besonin në vlerat e të ashtuquajturës perandori jugosllave e përzgjodhën kushtin e të jetuarit jashtë Atdheut – atë në ekzil. Dhe, pasi që ajo perandori e shpifur u zhbë, këtyre nuk u ngeli gjë tjetër, veçse të identifikohen me botën e re, ndërsa prapa tyre ngeli një gjeografi e tërë e veçantë, e kohëve të vështira dhe e labirinteve të jetës të njerëzve pa Atdhe – apatritëve pra. Kështu, një problem i cili u shpërfaq pas “ish-perandorisë” se vogël sllave (Jugosllavisë) ishte ai:


Haqif MULLIQI Dramaturg, pedagog, moderator.

si të gjendet “atdheu i ri”, do të thotë: si të definohet vendndodhja e re e krijuesit në ekzil në këtë rrethanë të re të krijuar. Mendoj se kjo çështje vazhdon të jetë sfidë dhe dilemë edhe e poetit Mustafë Xhemailit në rikthimin e tij drejtë vendlindjes së këtillë çfarë është – pa pushtuesit dhe vrasësit tanë.
Por të ikim pak në kohë. Dikur, sfilitja e një qendre të vjetër domosdoshmërisht kushtëzonte kërkimin e të resë si mëtim për gjetjen e kompensimit të vlerave të humbura shpirtërore që imponoheshin brenda kornizave të robërisë së gjatë. Sigurisht, në këto rrethana, për shumë intelektualë shqiptarë nga Kosova, qendër ishte Evropa Perëndimore. Ndaj dhe një numër i shkrimtarëve nga “margjinat e perandorisë” disi u tërhoqën drejtë qendrës së re. I këtillë, pa dyshim është edhe shkrimtari dhe disidenti Mustafë Xhemaili poeti dhe publicisti që dikur u shndërrua në pikë referimi të brezit tim, dhe në përgjithësi të një brezi të tërë.

“Mërgimi”, do të shprehet në një intervistë shumë më vonë Xhemaili, “për mua nuk ishte një ndëshkim! Ka qenë një rrugë, një mënyrë lufte....”

Ndërsa Atdheu ishte i trazuar në antagonizmin e luftës së tij për paqe a luftë, jetë a vdekje, ritmi dhe jehonat e diskutimeve në lidhje me emigracionin, politikën dhe disidentizmin nëpër Evropë shtoheshin në mënyrë marramendëse, edhe pas shthurjes së iluzionit mbi “perandorinë e vogël” kur e tërë ajo që shquhej, mbase si një referencë e guximit për ne në vorbullën e eklipsit jugosllav, nisi të shndërrohet në prishje iluzionesh, shembje dhe shthurje mitesh të cilat i kishim krijuar vetë. Pre e një gjahu të tillë të pakuptimtë, nga vetë ne, u shndërrua edhe poeti dhe publicisti Mustafë Xhemaili.

E tëra kjo, që atëherë seç më familjarizoi me esencën e një eseje të Milan Kunderës që mban titullin: "Tragjedia e Evropës Qendrore". Mendoj se asnjë prej teksteve të njerëzve të pendës në pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë vjetët e fundit nuk e kishte një efekt aq të madh tek unë, dhe, fal Zotit, jo vetëm tek unë.

Dhe ja një paralele fati. Ai, pra Kundera, shikuar nga këndi i letërsisë së re, ishte një prej arkitektëve të Pranverës së Pragës, ndërsa në anën tjetër, në një cep tjetër të Evropës, në Kosovë, vargut të intelektualëve rebel dhe disident, vështruar edhe nga ky prizëm, pra prizmi i letërsisë, ishte dhe Mustafë Xhemaili një si koo-projektues i Pranverës së Prishtinës së vitit 1981.

Në këtë rrafsh, Xhemaili radhitet dhe llogaritet ndër personalitetet e rëndësishme të rezistencës anti-serbe. Ishte i ndjekur, por jo një i përndjekur i rëndomtë. Për shkak të rëndësisë së veprimtarisë së tij politike, me te u mor drejtpërdrejt shteti me mekanizmat e tij duke e ndjekur, anatemuar dhe duke ia ndaluar me dekret e publikisht, krijimtarinë e tij letrare, artistike dhe publicistike.

Pra, Mustafë Xhemaili ishte një veprimtar e politikan i suksesshëm i Ilegales së Kosovës dhe ishte dhe është një publicist vërtetë domethënës, por jo më pak edhe poet e letrar, i cili gjente rrugë dhe mënyrë, që publikut të painformuar apo të informuar keq, të Evropës Perëndimore, t’i ligjëroj mbi të drejtën dhe të vërtetën. "Ja cilët jeni ju", i thotë Kundera botës e cila ngadalë po harronte, për shkak të asaj se shtirej sikur harronte, apo se dëshironte të harronte ata popuj në Evropë të cilëve ende u mungonte LIRIA, që u mungonte Atdheu, e që ende e kërkonin atë, që jepnin edhe jetën për te.

“Unë jam në mërgim thjeshtë për shkaqe politike”, thotë në intervistë Xhemaili. “Kjo do të thotë se unë kam qenë i vetëdijshëm që, mos burgu, mos vrasja diku nëpër rrugët e Kosovës, do të më pret mërgimi politik. Atëherë intelektualët ishin të paktë që organizoheshin në Lëvizjen Ilegale të Kosovës. Kjo lëvizje, që përbëhej nga disa organizata të fshehta atdhetare politike, kishte strukturat e veta organizative. Unë militoja në një nga organizatat e tilla, dhe isha njëri ndër udhëheqësit e lartë të saj. Për mua vendimi për arratisje nga Kosova, u mor në strukturat organizative të Lëvizjes Ilegale të Kosovës të viteve 80-ta të shekullit që shkoi. Dhe pas një jete ilegale, të atij dimri të egër në Kosovë, dola nga ajo në pranverën e vitit 1984 dhe mora azilin politik në Zvicër.
Për mua nuk ishte, dhe nuk mund të ishte, mërgimi si një mallkim apo ndëshkim, sepse unë menjëherë jam kyçur (kooptuar, një shprehje e huaj politike e shpeshtë e kohës), në lëvizjen politike te mërgimtarët në Evropën Perëndimore”
, thotë ky. (Të gjitha citatet e M. Xhemailit, për këtë ese janë marrë nga intervista e botuar në librin e tij publicistik të me titull “Ankthi i shkrimit”, Prishtinë 2005, f.143-172)

Mustafë Xhemaili i përket brezit të tetëdhjetë e njëshit. Në Perëndim arriti nga Evropa në të cilën utopia komuniste po e përjetonte agoninë e thellë. Viti 1981, me periudhat e protestave ngërçe në Kosovë si dhe lëvizjet çlirimtare e historike që shpinin deri në fanatizëm, duke nxjerr edhe tanket nëpër rrugët e Prishtinës e të qyteteve tjera të Kosovës (bashkë me lëvizjet e Gdanjskit në Poloni), praktikisht arrihet kulmi i shkatërrimit të njërit prej miteve më të fuqishme të shekullit XX. Mustafë Xhemaili nga kjo përmbytje e kësaj anijeje doli me veprimtarinë e tij politike atdhetare dhe letrare, me muzat e tij poetike. Nga pozita e njërit prej poetëve më të talentuar të brezit, me fuqinë e vlerat artistike, mundi t’i mbijetojë vrazhdësitë politike dhe ideologjike të kohëve duke u mbështetur fort në idetë e shpallura kryengritëse dhe disidente. Nga ky pozicion i një apatriti, Mustafë Xhemaili ligjëron në mënyrën e tij, me mjetet e tija mbi modelet politike të kohërave, modelet publicistike dhe kulturore si dhe modelin e qartë artistik, brenda së cilës afron botën e tij, projekton e lufton për idenë që Atdheu i tij të bëhet një dhe i lirë.

“Jo!”, klithë Xhemaili me një rast. “Mërgimi për mua nuk ishte një ndëshkim! Ka qenë një rrugë, mënyrë lufte. Në mërgimin tim politik, në veprimtarit e ndryshme, veçanërisht në demonstrimet dhe propagandën që bënim për lirinë e Kosovës, nëpër Evropë e më gjerë, unë kisha aq shumë punë dhe angazhime dhe nuk kisha kohë të mendoj për mërgimin si fenomen, si fat, si rrugë, si mënyrë mbijetese. Për këtë shkak, për një periudhë dhjetëvjeçare 1982-1993, unë nuk kam botuar asnjë libër poetik. Unë kisha hyrë me vetëdije të plotë në politikë. Si një intelektual i ri i Kosovës, si një krijues që e kisha një emër, dhe natyrisht që kisha dalë me vetëdije të plotë në hapësirat e mërgimit politik, përpiqesha të bëjë diçka për të ndihmuar Kosovën. Me punën time në atë kohë, vitet 80-ta dhe fillimi i viteve 90-ta, unë jam i kënaqur. Ajo kohë ka ndihmuar thelbësisht që të vjen kjo e sotmja, ashtu siç erdhi – me luftë çlirimtare që e bëri UÇK-ja me aleatin e saj NATO-n. Ajo kohë dhe lufta çlirimtare e UÇK-së, herdokur, do të ndihmojnë, gjithashtu thelbësisht, që Kosova ta fitojë Pavarësinë”.

Një qëndrim dhe një kundrim si ky i Mustafë Xhemailit ishte pjesë e mesazheve të një personaliteti me qëndrime “ekstreme”, nëse është e përshtatshme kjo fjalë për ata që me gjithë forcën, me mish apo me shpirt e gjakojnë lirinë dhe nuk shkëputen nga muza e poetit.

Ligjërimi i Mustafë Xhemailit në mënyrën më të drejtpërdrejtë e emëron armikun, pushtuesin, barbarin, "njeriun e zi". Dhe ky s’është një fenomen i shkëputur, ngase edhe tek Xhemaili, sikurse edhe tek Eminesku i ri apo edhe Aron Kotrusha i përkasin asaj pjesë të hartës historike të quajtur “Tragjedi e Evropës Qendrore”. As tek Xhemaili as si “vëllezërit” tjerë të një fati, asgjë nuk është e thjeshtë. Asgjë nuk është e humbur duke lozur. Ngase këta të gjithë, secili me mënyrën e vetë, me hallin e vet, me Atdheun e humbur, me fatin e përbashkët dhe të veçantë në të njëjtën kohë, thjeshtë marrin pjesë në ligjërimin mbi etnosin.

Në këtë sens Xhemaili thotë: “Gjatë heshtjes sime poetike para lexuesve për një dhjetëvjeçar, jam përpjekur të ruaj diçka që nuk e sheh askush, që nuk e ndien askush: një nerv poetik që e kisha kultivuar në Kosovë dhe që e kisha marrë me vete në Zvicër dhe hapësirat tjera Evropiane kah unë militoja, me pseudonime, me emër tjetër, pa emër. Periudha ishte e tillë që kishte shumë motiv dhe arsye të sakrifikohej diçka nga vetja. Madje edhe krejt vetveten! Për fat të mirë ai motiv, ato arsye te unë nuk e kanë shkatërruar atë nervin poetik që e kisha marrë nga vendlindja, nga Kosova, ku unë isha formuar. Marrja ime me politikë në kushtet e ilegalitetit dhe gjysmëilegalitetit, si dhe organizimeve të ndryshme, në thelb nuk më ka dëmtuar. Përkundrazi. Ajo periudhë më ka dhënë shumë në formimin tim më të plotë intelektual e krijues.
Mërgimi si fat, si mënyrë jetese, si rrugë që duhet ecur nëpër të, megjithatë nuk është i lehtë. Veçanërisht nuk është i lehtë për ata intelektualë, krijues, që janë të vetmuar, ose për ata që gjenden të hendikapuar nga virusi i vetmisë, i xhelozisë, i smirës. Thuhet se krijuesi duhet të jetë i vetmuar që të krijoj vepër të madhe. Kjo, tashmë është relative. Sepse, vetmia mund të jetë e madhe edhe në mesin e turmave të njerëzve, në mesin e një shoqërie të zhurmshme”.

Kjo, s’do mend se s’është e tëra që mund ta them për kolegun dhe mikun tim Mustafë Xhemailin. Por këtu, kam kënaqësinë të theksoj se, shumë gjëra më së miri do t’i shohim, ashtu, shtruar dhe qartë, në librin e tij voluminoz publicistik që do botohet me titull
“Publicistika kryengritëse”, libër që përfshin rreth 100 zëra të shtrirë gjatë një periudhe 20 vjeçare:1980-2000. Aty, edhe një herë, dëshmohet se, Mustafë Xhemaili ishte dhe mbeti një model disidenti politik, publicistik, artistik dhe kulturor, model që tash kthehet për të gjalluar mes nesh, dhe me ne.

Në fund lexuesit e këtyre rreshtave sigurisht se do të befasohen sapo ta lexojnë këtë ese timin për poetin dhe disidentin e mërgimit të kthyer në Atdheun me shumë të panjohura. Ka vite që nuk kam shkruar asnjë fjalë të vetme për dhe lidhur me politikën. Mirëpo, ja, këtë ese politik që shkrova e kam shkruar thjeshtë nga arsyet politike, por ama, politika megjithatë nuk është shkaku i vetëm për këtë.

Në fakt unë shkrova këtë ese për fatin e një intelektuali apo edhe të gjithë atyre siç do të thotë vetë Mustafë Xhemaili, që, në mërgatë, historikisht kanë krijuar letërsi shqipe me vlerat të larta artistike, që sot janë modele dhe ndriçojnë në fondin e artë të saj. Mustafë Xhemaili thotë me të drejtë:
“Krijuesit e ardhur në mërgatë e kanë pësuar për shkak të ndjekjeve obskurantiste, mbretërore, diktatoriale e ideologjike që janë bërë nga Shqipëria, dhe pushtuesit politikë e ideologjikë nga ish-Jugosllavia. Kujtoni vetëm Nolin, Konicën, Koliqin, Camajn, Kadarenë, Balën, Gërvallën... veprat e të cilëve, tashmë, janë bërë fond i letërsisë shqipe.”

Ndërsa unë do të shtoja në këtë varg edhe poetin, publicistin dhe disidentin Mustafë Xhemailin.
Prishtinë, maj 2006